Maqedoni
Tetovë, varroset fëmija 7-vjeçare, Elezi fajëson mjekun amë
22.09.2025 15:41
Një shtatëvjeçare nga Çellopeki i Tetovës mbrëmë ka humbur jetën në Spitalin Klinik të Tetovës...

Një shtatëvjeçare nga Çellopeki i Tetovës mbrëmë ka humbur jetën në Spitalin Klinik të Tetovës, pasi e njëjta një ditë më parë ishte pranuar në repartin e Pediatrisë. Spitali Klinik i Tetovës, por edhe Ministria e Shëndetësisë, kanë formuar komisione për hetimin e rastit të vdekjes së shtatëvjeçares. Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzan Elezi, thotë se vajza shtatëvjeçare para se të trajtohet nga mjekët e Spitalit të Tetovës, ka pranuar terapi intravenoze nga mjeku amë, që sipas Elezit është e jashtëligjshme dhe sipas Elezit, shumë raste në gjendje të rënduar vijnë në Spitalin Klinik të Tetovës, pasi një herë janë trajtuar nga ambulancat private.
“Unë kam qenë në vendngjarje dhe në moment kam thirrur komisionin disiplinor për protokoll që të shohim nga ana e Spitalit Klinik të Tetovës se a ka qenë në rregull, a është pranuar si duhet dhe a janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura mjekësore. Edhe sot pata mbledhje bashkë me mjekët që të arrijmë deri tek e vërteta e pacientes. Edhe nga ana e ministrisë jam informuar që kanë përgatitur një komision shëndetësor për reagim sa më të shpejtë. Por, ka qenë tek mjeku amë dhe ka pranuar terapi intravenoze që është e jashtëligjshme. Nuk është e ligjshme, është e kundërligjshme që të jepen terapi në ambulanca private. Apeloj se shumë raste na vijnë në spital me gjendje të rëndë pasi marrin terapi nëpër ambulanca private, pastaj kur përkeqësohet gjendja i sjellin në Spitalin e Tetovës.”, - deklaroi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.
PTHP-ja jep urdhër për obduksion
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tetovës jep urdhër për obduksion të trupit të pajetë të shtatëvjeçares, ndërsa familja sot kanë varrosur fëmijën në fshatin Çellopek, komuna e Bervenicës.
“Prokurori Publik i Prokurorisë së Tetovës, menjëherë pas rastit ishte njoftuar se ka incident me dëmtim të pronës së spitalit dhe pasi kishte kuptuar shkakun e incidentit, prokurori menjëherë që mbrëmë, fillimisht gojarisht, pastaj sot në mëngjes edhe me shkrim, ka dhënë urdhëresë për obduksion të trupit të pajetë të fëmijës.”, - thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë.
SPB: Familja s’kishte lejuar autopsinë
Ende është e panjohur se si e kanë lëshuar trupin e pajetë të vajzës shtatëvjeçare, ku kishte urdhër për obduksion nga prokurori i rastit. Kurse nga SPB-ja e Tetovës, me komunikatë me shkrim janë përgjigjur se deri tek lajmërimi i rastit, ka ardhur si pasojë e lajmërimit për dëmtim të pronës së spitalit nga ana e familjarit, tani më të ndjerës.
“Më 21.09.2025 në SPB - Tetovë, nga Spitali Klinik i Tetovës është raportuar se një vajzë tetëvjeçare ishte sjellë pa shenja jete në Repartin e Anestezisë, pasi më parë kishte qenë në Repartin e Pediatrisë në të njëjtin spital. Menjëherë është vepruar sipas raportit dhe u njoftua prokurori publik, i cili konstatoi se familja nuk kishte lejuar kryerjen e autopsisë dhe e kishte marrë trupin e vajzës për varrim. Në bashkëpunim me prokurorin publik, po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.”, - thuhet në komunikatën e SPB – Tetovë.
Mbetet të shihen se cilat do të jenë hapat e institucioneve përgjegjëse për rastin në fjalë. Ndërkohë vetëm brenda disa muajsh, në Spitalin Klinik të Tetovës, në rrethana ende të paqarta, kanë ndërruar jetë dy fëmijë.
VISAR SADIKI
