Izraeli kundër njohjes së Palestinës, Tel Avivi kërcënon me masa
Në Izrael është ndezur zemërim pas rritjes së numrit të vendeve...

Në Izrael është ndezur zemërim pas rritjes së numrit të vendeve që njohin shtetin palestinez. Kryeministri Benjamin Netanjahu paralajmëroi se një gjë e tillë është “shpërblim për terrorizmin” dhe theksoi se nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez në perëndim të Jordanit.
Tel Avivi madje kërcënoi me masa kundërpërgjigjëse dhe aneksim të Bregut Perëndimor.
“Kam një mesazh të qartë për ata liderë që e njohin shtetin palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit – po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të ketë shtet palestinez në perëndim të Jordanit. Përgjigjja ndaj përpjekjes më të fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të vendit tonë do të jepet pas kthimit tim nga ShBA-ja.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Albanese: Ky është shansi më i mirë
Për Tel Avivin, njohja e shtetit palestinez vetëm sa do ta destabilizojë më tej rajonin, thonë nga Ministria e Jashtme izraelite, por kreu i Australisë thotë të kundërtën.
“Ky është shansi më i mirë që bota ka pasur në dekadat e fundit për të çarmatosur dhe izoluar Hamasin dhe për të siguruar vetëvendosjen për popullin palestinez. Ky është një moment mundësie për kombet me vullnet të mirë që të punojnë së bashku për t’i parë pengjet e marra gjatë krimeve të 7 tetorit 2023 të kthehen menjëherë dhe me dinjitet, të arrihet një armëpushim i menjëhershëm dhe të vihet fundi i katastrofës humanitare që po i shkaktohet Gazës.”, - theksoi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
Rangel: Një zgjidhje me dy shtete
Pas Britanisë së Madhe, Australisë dhe Kanadasë, në listë u bashkua edhe Portugalia, ndërsa tashmë ka sinjale edhe për vende të tjera.
“Njohja e shtetit të Palestinës është përmbushje e një politike themelore, konsistente dhe gjerësisht të pranuar. Portugalia angazhohet për një zgjidhje me dy shtete si rruga e vetme drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që promovon bashkëjetesën dhe marrëdhëniet paqësore mes Izraelit dhe Palestinës.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel.
Makron: Procesi i njohjes, parakusht
Në samitin vjetor të OKB-së në Nju Jork pritet që Franca dhe disa vende të tjera si Belgjika, Luksemburgu dhe Zelanda e Re, Malta ta njohin shtetin palestinez.
Makroni deklaroi se njohja nga Franca, megjithatë, nuk do të përfshijë hapjen e ambasadës derisa Hamasi të lirojë pengjet.
“Palestinezët duan një komb, duan një shtet dhe nuk duhet t’i shtyjmë drejt Hamasit. Nëse nuk u ofrojmë perspektivë politike dhe një njohje të tillë, ata do të mbeten të ngujuar me Hamasin si e vetmja zgjidhje. Nëse duam ta izolojmë Hamasin, procesi i njohjes dhe plani paqësor shoqërues janë parakusht për këtë.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Izraeli dhe ShBA-ja kanë paralajmëruar bojkot të samitit, ndërsa presidenti palestinez Mahmud Abas e vlerësoi njohjen ndërkombëtare të Palestinës si hap të rëndësishëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. (Belinda Ademi – Koka, TVM2)
