Delegacioni i BE-së uron qeverinë “Rama 4”, Shqipëria mund të mbyllë negociatat në vitin 2027

22.09.2025 17:39

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri...

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e ri qeveritar pas betimit të presidentit për detyrën në katër vitet e ardhshme në qeverisjen e vendit.

Delegacioni i BE-së ka deklaruar se miratimi dhe zbatimi i reformave të nevojshme do të duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Vetëm përmes këtyre proceseve, sipas delegacionit, Shqipëria do arrijë qëllimin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në familjen e madhe evropiane brenda vitit 2030.”, thuhet në postimin e BE-së në rrjetin social X.

“Urime kryeministrit @ediramaal dhe të gjithë ministrave me rastin e marrjes së detyrës. Me një përpjekje të vazhdueshme në miratimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë qëllimin e saj ambicioz për mbylljen e negociatave të pranimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ne mezi presim të punojmë së bashku me të gjithë palët e interesuara shqiptare për të arritur këtë moment të rëndësishëm në dobi të popullit shqiptar.”, thuhet në postim.