Maqedoni
Konferencë kushtuar korrupsionit sistemik, Profesorët: Më pak burokraci, më shumë aksione
23.09.2025 14:08
Korrupsioni sistemik gjithnjë e më shumë po përhapet në vend....

Korrupsioni sistemik gjithnjë e më shumë po përhapet në vend. Për ta luftuar këtë dukuri negative pa dyshim se nevojitet qasje serioze dhe gjithpërfshirëse nga të gjithë aktorët institucionalë, por me rëndësi të madhe është që të rritet vetëdija e qytetarëve për ta kuptuar se korrupsioni rrënon themelet e demokracisë dhe drejtësisë. Ky është konstatimi i përgjithshëm i pjesëmarrësve në konferencën shkencore ndërkombëtare kushtuar korrupsionit sistemik, si kërcënimi më i madh i sigurisë.
“Organizimin e kësaj konference e shoh jo vetëm si sfidë shkencore dhe akademike, por edhe si detyrim moral ndaj institucioneve, qytetarëve dhe gjeneratave të reja. Korrupsioni sistemik që moti nuk është vetëm çështje që ka të bëjë vetëm me moralin apo analizën kriminologjike, por është kërcënim i drejtpërdrejt, i cili ndan shoqërinë, rrëzon besimin e institucioneve, komprometon drejtësinë dhe demokracinë dhe paraqet kërcenim më të madh ndaj sigurisë rajonale, vendore dhe ndërkombëtare.”, - deklaroi dekani i Fakultetit për Siguri – Shkup, Jonçe Ivanovski.
“Rezultatet e hulumtimeve të deritanishme janë frapante, çdo i treti qytetar apo ndonjë i afërm i tij, ka pasur qasje dhe kontakt me ndonjë nëpunës të korruptuar. Duke marrë parasysh këtë, themi se duhet të kemi qasje më serioze për të luftuar korrupsionin sistemik, që tashmë paraqitet si kërcenim i sigurisë.”, - theksoi profesori universitar, Marian Nikollovski.
“Nëse më pyesni personalisht, unë do të them se sa më pak burokraci dhe aq më shumë aksione. Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet korrupsioni.”, - u shpreh rektori i Universitetit “Shën Klimenti dhe Ohri” – Manastir, Igor Nedelkovski.
Panov: Korrupsioni është përhapur kudo
Korrupsioni është përhapur kudo, në të gjitha poret e shoqërisë sonë dhe nëpër të gjitha nivelet institucionale, tha drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov, i cili pranon se korrupsioni “lulëzon” edhe nëpër burgjet e vendit tonë.
“Po, korrupsioni është përhapur gjithandej dhe këtë e them në bazë të asaj që pash brenda një viti nëpër burgjet e vendit, ku mund të thuhet se ne aty kemi pasur korrupsion sistemik. Njëherësh brenda kësaj periudhe jam takuar po ashtu edhe me prokurorë dhe gjykatës të shumtë dhe është e saktë se edhe aty ekziston korrupsioni, por është po ashtu e saktë se në mesin e atyre ka edhe profesionistë, të cilët duan dhe kryejnë punën e tyre me ndershmëri.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov.
Toshkovski: Studentët do ta luftojnë korrupsionin
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, paralajmëron qasje më serioze, agresive dhe gjithëpërfshirëse për ta luftuar korrupsionin në vend, duke i kyçur kuadrot më të mira të universiteteve në këtë betejë.
“Mund të paralajmëroj se në përputhje me ligjin e ri për punë të brendshme do të kemi mundësi të nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi me të gjitha universitetet që trajtojnë sigurinë dhe korrupsionin, përmes së cilave kuadrot më cilësore që do të dalin nga fakultetet e sigurisë do të përfshihen në institucionet e brendshme të sigurisë.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup, është e 16-ta me radhë dhe është shndërruar në konferencë shkencore tradicionale të përvitshme. Në të morën pjesë shumë profesorë universitarë nga vendet e rajonit.
REXHEP QAMILI
