Maqedoni

Qendra për Menaxhim me Kriza: Nga 12 vatra zjarri, 5 janë ende aktive

23.09.2025 14:31

Në Maqedoninë e Veriut, zjarret në ambiente të hapura vijojnë të jenë një sfidë serioze për autoritetet....

Në Maqedoninë e Veriut, zjarret në ambiente të hapura vijojnë të jenë një sfidë serioze për autoritetet. Sipas të dhënave nga Qendra për Menaxhim me Kriza, në mbarë vendin janë regjistruar 12 vatra zjarri. Prej tyre, 5 janë ende aktive, 5 janë vënë nën kontroll, ndërsa 2 janë shuar plotësisht, njofton drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.  Zjarret më problematike janë regjistruar në komunën e Gjevgjelisë, në Makedonski Brod, Çuçer-Sandevë, Shtip dhe Kërçovë, zona që përfshijnë pyje të dendur, terren malor dhe madje edhe deponi të vjetra, ku përhapja është më e shpejtë. 
 
“Momentalisht në territorin e shtetit kemi pesë zjarre aktive edhe atë në komunën e Gjevgjelisë, komunën e Makedonski Brodit, komunën e Çuçer Sandevës në fshatin Malinë, në komunën e Shtipit dhe komunën e Kërçovës një deponi e vjetër. Momentalisht zjarre më aktive kemi në komunën e Gjevgjelisë, saktësisht mbi malin Kozhuv dhe aktualisht aty intervenon një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe zjarrfikësit lokalë. Në komunën e Çuçer Sandevës, saktësisht mbi fshatin Malinë dhe Brezë, kanë intervenuar aeroplanët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Kurse tani informatën e fundit kemi që zjarri përsëri është aktivizuar dhe shkon nga Kumanova dhe tani do të bëjmë kërkesë që të intervenohet me aeroplanët e DMSh-së. Shpresojmë që deri në fund të ditës të vihen në kontroll këto zjarre.”, - deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali. 
 
Sipas QMK-së, ndërhyrjet ajrore janë vendimtare për ndalimin e përhapjes, sidomos në rajonet ku terreni është i paarritshëm për zjarrfikësit tokësorë. Disa nga zjarret që tashmë janë vënë nën kontroll janë regjistruar në komunat Gazi Babë, Studeniçan, Kumanovë dhe Vinicë, ndërsa vatrat në Sveti Nikollë dhe Demir Hisar janë plotësisht të shuara. Muajt e fundit, vendi është përballur me një rritje të ndjeshme të rasteve të zjarreve, veçanërisht në zona pyjore dhe deponi të egra, ku ndotja dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve po ndihmojnë përhapjen e flakëve. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët dhe bashkëpunim me ekipet e emergjencës, ndërkohë që paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për sa kohë që kushtet klimatike mbeten të pafavorshme.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU