Maqedoni

Rritja e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve, Mickoski: Së pari, le t’i meritojnë këta që i marrin

23.09.2025 14:57

Mickoski nuk e ka problem t’i rrisë pagat për prokurorët dhe gjykatës, por kërkon që paraprakisht t’i meritojnë pagat aktuale...

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e ka problem t’i rrisë pagat për prokurorët dhe gjykatës, por kërkon që paraprakisht t’i meritojnë pagat aktuale, duke qenë se besimi në këto institucione të drejtësisë është vetëm 2%. Megjithatë shton se qeveria punon në reformën thelbësore për të rritur buxhetin e gjykatave në 0.8 për qind të PBB-së dhe të prokurorëve në 0.5 për qind të PBB-së, që sipas Mickoskit,  është dy deri në tre herë më shumë se në disa vende që janë anëtare të Bashkimit Evropian.
 
“Gjithmonë kur flasim se pse vonohemi në realizimin e reformave në gjyqësor dhe prokurori, ne thelb dua që opinioni të dijë se bëhet fjalë për gjashtë ligje, ku thelbi kryesor, pra rritja e buxhetit, prej ku drejtpërdrejt implikohet rritja e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve, e të cilët kanë rejting prej 2%, ndërkaq kërkohet rritja e pagave. Gjithmonë ndjej një mundim se edhe këta paga që i marrin tash, nuk i meritojnë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM-ja për reformat: Mickoski s’ka realizuar asnjë ndryshim gjyqësor
 
Nga LSDM-ja akuzojnë Mickoskin se me deklaratën e tij për reforma gjyqësore vetëm manipulon opinionin, ndërkaq në realitet nuk është marrë me asnjë reformë në jurisprudencë.
 
“Faktet janë të qarta: që kur Mickoski erdhi në pushtet, nuk ka miratuar asnjë ligj reformues për gjyqësorin. Ministri i tij i paaftë i Drejtësisë nga koalicioni “E di”  nuk ka zbatuar asnjë ndryshim për një vit të tërë. Në vend të ndryshimeve të premtuara, Mickoski e ka shndërruar gjyqësorin në një degë partiake - me gjyqtarë që janë bashkëshortë të kryetarëve të komunave të tij dhe të afërm të partnerëve të tij të koalicionit.”.
 
Opozita maqedonase ka përshtypjen se Mickoski dëshiron një gjyqësor të bllokuar në sistemin e tij partiak, e jo të pavarur dhe të drejtë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU