Maqedoni

Banorët e Shkupit përsëri me probleme në transportin publik

23.09.2025 15:27

Banorët e Shkupit po përballen përsëri me probleme në trafik...

Banorët e Shkupit po përballen përsëri me probleme në trafik, pas akuzave nga Qyteti i Shkupit se kompania që furnizon me karburant autobusët e NQP-së, kishte ndërprerë furnizimin, ndonëse ekziston një kontratë aktive me ndërmarrjen publike, si dhe pohimit të kompanisë së NQP-së se ka grumbulluar një borxh të madh prej miliona eurosh. Qytetarët ankohen se po presin me orë në autobusët nëpër qytet. 
 
“Gjendja është katastrofave. Dje kemi pritur dy orë autobus.”, - tha një qytetare.
 
“Nuk ka autobusë. Po pres më tepër se gjysmë ore.”, - tha një qytetar.
 
“Çdo orë vijnë autobusët. Nuk ka autobusë të rregullt, presim shumë gjatë.”, - u shpreh një qytetare.
 
Nga sindikata e ndërmarrjes së transportit thonë se gjendja e  ndërmarrjes publike e komunikacionit nuk është e mirë. 
 
“Gjendja nuk është e mirë, nga dita e shtunë deri mbrëmë nuk ka pasur naftë të mjaftueshme, megjithatë gjatë ditës së djeshme, shumë automjete janë kthyer në garazhe, sepse nuk ka pasur naftë. Me naftë jemi furnizuar kah ora 19:00 me rreth 18 tonë. Kjo ishte për këto dy ditë e për nesër nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Qyteti i Shkupit duhet të ndërmarrë masa për këtë rast. Qytetarët unë i kuptoj, kanë revoltë. Kanë karta mujore dhe duhet të kenë autobusë të rregullt.”, - deklaroi Afrim Muça nga Sindikata e Pavarur e NTP-së.
 
Kujtojmë se edhe nëntorin e kaluar, problemi me transportin publik në Shkup u bë alarmant, pasi autobusët e NTP “Shkup” ndaluan së qarkulluari, për shkak të mungesës së naftës. Vetëm ato autobusë që punojnë me metan mund të shiheshin në rrugët e Shkupit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI