Maqedoni

Komisioni Shtetëror Zgjedhor konfirmon 303 kandidatë për kryetarë komunash

23.09.2025 15:42

Gjithsej 303 kandidatë janë konfirmuar për postin e kryetarëve të komunave dhe të Qytetit të Shkupit...

Gjithsej 303 kandidatë janë konfirmuar për postin e kryetarëve të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, ndërsa 558 lista janë miratuar për anëtarë të këshillave komunalë dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit, njoftoi KShZ-ja. Në komunat: Kumanovë, Aerodrom, Karposh dhe në Qytetin e Shkupit, procesi ende vazhdon për shkak të disa parregullsive të evidentuara. Komisionet zgjedhore lokale kanë kërkuar korrigjime dhe aktualisht tetë kandidatura për kryetarë komunash janë në procedurë për përmirësimin e dokumentacionit, si edhe 20 lista për anëtarë këshillash. Nga listat e paraqitura u refuzuan gjithsej pesë lista për kryetar komune, nga një listë për komunat e Butelit, Qendrës, Kumanovës, Aerodromit dhe Qytetit të Shkupit.
 
Zgjedhjet lokale 2025, MPB: Jemi gati për procesin zgjedhor
 
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është shprehur se pret që procesi zgjedhor të zhvillohet në atmosferë demokratike, duke theksuar se ministria është e përgatitur për ta menaxhuar me sukses këtë cikël zgjedhor.
 
“Ministria e Punëve të Brendshme, më shumë se dy-tre javë më parë ka formuar një trupë operative për Zgjedhjet 2025. Shërbimet po punojnë në mënyrë aktive, të gjitha veprimet përgatitore janë duke u ndërmarrë në vetë procesin zgjedhor. Unë gjithashtu mbajta një takim me Komisionin Shtetëror Zgjedhor në nivel teknik. Janë zhvilluar disa takime me KShZ-në. Jemi duke u përgatitur dhe i kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme që janë nën kompetencën tonë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Pas përfundimit të procesit të konfirmimit të listave të kandidatëve, shorti për përcaktimin e renditjes së listës së vetme të kandidatëve do të zhvillohet më 25 shtator 2025, njofton Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Fushata zgjedhore do të fillojë javën e ardhshme, konkretisht më 29 shtator. Gara më e ashpër pritet në komunën e Çairit mes Bujar Osmanit nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Izet Mexhitit nga radhët e koalicionit VLEN.
 
FARIJE DAUTI BAKIU