Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: Banorët e Trubarevës të marrin pjesë në skrining

23.09.2025 15:57

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Klinikën Universitare për Pulmologji fillon një skrining dyditor...

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Klinikën Universitare për Pulmologji fillon një skrining dyditor të banorëve në Trubarevë, i cili do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten, më 24 dhe 25 shtator.
 
“I ftojmë banorët e Trubarevës dhe zonave përreth që të marrin pjesë në skrining.  Skriningun do ta kryejnë dy ekipe nga Klinika e Pulmonologjisë me automjete ambulante. Kontrolli është i dedikuar për të gjithë qytetarët e interesuar nga Trubareva dhe zonat përreth, veçanërisht për ata që ndiejnë vështirësi në frymëmarrje ose kanë simptoma që tregojnë për sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Skriningu do të përfshijë: kontroll klinik të plotë, spirometri, EKG dhe kontrolle të tjera të nevojshme. Nëse haset nevoja për trajtimin shtesë të ndonjërit nga qytetarët, pacientët do të referohen në Klinikën e Pulmologjisë për kontrolle dhe trajtim të mëtutjeshëm. 
 
“Dy ekipe do të bëjnë kontrollin e të gjithë banorëve të Trubarevës. Do të bëjnë kontrollet fillestare për gjendjen momentale të banorëve. Varësisht nga pasqyra e kontrollit aktual, nëse mund të konstatohet gjendja apo diagnoza përkatëse, apo nëse vërehet se nuk ka dëmtim të mushkërive, do t’u rekomandohet të vazhdojnë me terapitë që i kanë marrë paraprakisht. Por, nëse hasim nevojën për trajtim shtesë tek ndonjë nga banorët, atëherë do t’i drejtojmë tek Klinika për Pulmologji.”, - theksoi drejtori i Klinikës Universitare të Pulmologjisë, Oliver Zafirovski.
 
Cilësia e ajrit në Trubarevë të Shkupit rikthehet në kuadër të vlerave të lejuara, konformë normave për cilësinë e ajrit ambiental. Përkatësisht, matjet e fundit rezultojnë se koncentrimi i grimcave PM10 në 24 orët e fundit ka qenë 11.9 mikrogram në m3. Për këtë arsye, nxënësit e kësaj lagje nuk do të zhvillojnë më mësimin online, por do t’u kthehen bankave shkollore. Prokuroria publike po e vazhdon hetimin.
 
FITORE DEMOLLI