Botë

Dronët penguan punën e aeroporteve në Danimarkë dhe Norvegji

23.09.2025 16:21

Aeroportet е mallrave në Kopenhagë dhe Oslo janë rihapur, pasi dronët ndaluan të gjitha ngritjet dhe uljet për disa orë....

Aeroportet е mallrave në Kopenhagë dhe Oslo janë rihapur, pasi dronët ndaluan të gjitha ngritjet dhe uljet për disa orë. Po hetohet nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy incidenteve. Shkaku mbetet i panjohur, ndërsa incidenti ndodhi vetëm disa ditë pas një sulmi kibernetik ndaj një ofruesi të shërbimeve IT, i cili pengoi punën e disa aeroporteve evropiane, përfshirë Berlinin, Brukselin, Heatrou në Londër dhe Dublinin. Sipas kryeministres daneze, dronët që penguan punën e aeroportit të Kopenhagës përfaqësojnë sulmin më serioz deri më tani ndaj infrastrukturës kritike.
 
“Kjo tregon shumë për kohën në të cilën jetojmë dhe për atë se për çfarë duhet të jemi të përgatitur si shoqëri. Natyrisht nuk përjashtojmë asnjë mundësi për ata që mund të qëndrojnë pas këtij incidenti.”, - deklaroi kryeministrja e Danimarkës, Mete Frederiksen.
 
Policia daneze fillimisht bëri të ditur se dronët ndoshta ishin të operuar nga një “operator i aftë”, por ende nuk ka të dyshuar të identifikuar.
 
“Çdo gjë tregon se pas këtyre dronëve qëndron një operator me aftësi. Vlerësimi ynë është se ka pasur një rrezik të mundshëm për trafikun ajror. Nëse fluturoni me dronë në hapësirën ajrore rreth një aeroporti, ekziston rrezik potencial. Jemi duke hetuar nëse dy incidentet janë të ndërlidhura.”, - theksoi hetuesi në policinë e Kopenhagës, Jes Jespersen.
 
Mijëra udhëtarë u prekën nga mbyllja e aeroporteve dhe fluturimet u devijuan. Turma njerëzish në aeroportin e Kopenhagës mbetën të bllokuar për gati katër orë.
 
“Po presim të mësojmë se ku do të ulen dhe nëse do të devijohen fluturimet.”, tha pensionisti, Kurt Klausen.
 
“Nëna ime ka zbritur në Billund, vjen nga Shtutgarti. Më telefonoi dhe më tha që ndodhet në Billund.”, - u shpreh studentja, Helen Gajzer.
 
“Kemi bashkëpunim të mirë me policinë kur ndodhin incidente të tilla. U kemi dorëzuar të gjithë materialin tonë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm. Fatkeqësisht, kjo nuk është e pazakontë. Vitin e kaluar zbuluam deri në 1.500 dronë pranë aeroporteve tona, edhe pse është shumë e qartë që ekziston një zonë ndalimi prej pesë kilometrash, por për fat të keq kjo ndodh më shpesh sesa do të donim.”, - theksoi drejtori i aeroportit të Oslos, Torgeir Landevag.
 
Nga aeroporti i Oslos njoftojnë se rasti është kaluar në duart e policisë, që po heton incidentin.
 
FITORE DEMOLLI