Maqedoni

Gjykata Kushtetuese shqyrton shkurtimin e numrit të këshilltarëve

24.09.2025 08:59

Gjykata Kushtetuese sot në seancën e saj të 20-të do të shqyrtojë vendimin e Qeverisë për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave të komunave...

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut sot do t’i shqyrtojë lëndët për Vendimin e Qeverisë me të cilin përcaktohet numri i anëtarëve të këshillave të komunave, gjegjësisht shkurtimi i numrit të këshilltarëve komunal në disa komuna me shumicë shqiptare.

Iniciativa e parë është paraqitur nga Skender Rexhepi, i cili thekson se vendimi i kontestuar krijon pasiguri juridike, sepse sipas tij, Qeveria e ka marrë Vendimin për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave në komuna pa autorizim ligjor. 

Iniciativa e dytë është paraqitur nga Qenan Alia, i cili thekson se pushteti ekzekutiv nuk mund të përcaktojë numrin e anëtarëve të këshillave të komunave në kundërshtim me të dhënat zyrtare të marra nga Regjistrimi i popullsisë së vitit 2021.

Parashtruesit e iniciativës së tretë janë Blerim Bexheti, koordinator i grupit parlamentar Fronti Evropian dhe Sali Murad, deputet i të njëjtit grup parlamentar. Në këtë iniciativë, theksohet se me Vendimin e kontestuar shkelet neni 34 i Ligjit për vetëqeverisjen lokale, sepse sipas tyre, i jepet autorizim Qeverisë që të rregullojë numrin e anëtarëve të këshillave të komunave.

Sipas parashtuesve, neni 36 paragrafi 3 i Ligjit për Qeverinë lejon marrjen e vendimeve për zbatimin e ligjeve, por jo marrjen e vendimeve që bazohen në metodologji të kontestuara ligjërisht apo të shfuqizuara.