Shëndetësi, digjitalizohet sistemi për listat e ilaçeve
Ministria e Shëndetësisë...

Ministria e Shëndetësisë ka nisur digjitalizimin e sistemit për regjistrimin dhe menaxhimin e listave të barnave, në mënyrë që të ketë informacion të disponueshëm në çdo kohë në lidhje me një ilaç specifik nga një prodhues dhe ecurinë e procedurës për vendosjen e tij në listën pozitive.
“Moduli sjell përfitime konkrete sepse dorëzimet regjistrohen, monitorohen dhe menaxhohen në vetë sistemin, pastaj sistemi lidh institucionet që marrin pjesë në procedurë, si dhe ekspertët nga anëtarët e listës pozitive dhe ajo që është gjithmonë e rëndësishme në transparencën e procesit është një portal publik ku mund të monitorohen të gjitha të dhënat dhe informacionet në lidhje me procedurën për vendosjen e një ilaçi në listën pozitive.”, - deklaroi Vesna Nasteska nga sektori i farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, pret që ky digjitalizim të mbledhë të dhëna të sakta mbi nevojat e pacientëve më shpejt.
“Ky modul mundëson paraqitjen elektronike të kërkesave dhe ngarkimin e dokumentacionit të nevojshëm për barna në sistem të cilat deri më tani dorëzoheshin vetëm në formë fizike me letër. Me këtë arrihet një përparim i konsiderueshëm në digjitalizimin e proceseve të veçanta të procedurave dhe rregullave sipas standardeve operative botërore.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministria e Shëndetësisë planifikon të lidhë në mënyrë digjitale të gjitha institucionet shëndetësore, nga mjekët e familjes te klinikat publike dhe private, për një sistem shëndetësor më efikas. Lista pozitive e barnave do të zgjerohet dy herë në vit, njoftoi ministri Aliu. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
