Tiranë, opozita propozon anëtarët për komisionet në Kuvend
Ndryshe nga seanca e shkuar...

Ndryshe nga seanca e shkuar, kësaj here duket sikur opozita u kthye në normalitet, duke propozuar edhe emrat e anëtarëve të saj në komisionet parlamentare.
Në ‘bllok’, opozitarët e të gjitha grupeve kërkuan përsëritjen e seancës së parë të legjislaturës së re dhe debat për programin e Qeverisë.
Refuzimin e morën nga i vetmi socialist që foli në seancë, Taulant Balla.
“Këta mund të kenë pasur ndërmend të shprehin ndonjë mendim, por pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një prej seancave më të rëndësishme, vijnë pas një jave dhe duan të japin mendim. Prandaj, zoti kryetar i Kuvendit, kemi kaluar sot me konsensus në konferencë të kryetarëve përbërjen e komisioneve dhe propozimet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të deputetëve të pavarur, të kalojmë në votim përbërjen e komisioneve dhe të mos bëjmë hile me procedurën.”, - theksoi Taulant Balla.
Pas ripërsëritjes së kërkesës për gati një orë e 30 minuta, demokratët bashkuan votat me socialistët dhe votuan përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare. Megjithatë opozita i konsideron të paligjshme dhe ka kërkuar rrëzimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese, bashkë me dekretin për ministren virtuale, Diella. (Luljeta Ndoka, TVM2)
