Reformat në gjyqësor, Mickoski: Disa gjykatës nuk e meritojnë pagën
Qeveria premton miratimin e gjashtë ligjeve...

Qeveria premton miratimin e gjashtë ligjeve deri në dhjetor që prekin prokurorinë dhe gjyqësorin, pjesë e agjendës reformuese. Kryeministri thotë se nuk bëhet fjalë për reforma thelbësore, por flasim për rritje të buxheteve, me qëllim rritjen e pagave.
Sipas Mickoskit, një pjesë e prokurorëve dhe gjykatësve nuk e meritojnë as pagën aktuale.
Kryeministri thotë se pas zgjedhjeve me mekanizma juridike do të qartësohet situata edhe me këta figura të gjyqësorit.
“Do të nisim një serial të plotë të rasteve se si kanë gjykuar gjykatës të caktuar dhe prokurorë. Opinioni le të gjykojë nëse ata meritojnë rritje, ndërkohë që shkojnë në Bruksel dhe thonë se Qeveria nuk ua rrit pagat. Brukseli le të gjykojë nëse këta njerëz gjenerues të korrupsionit, nëse e meritojnë këtë pagë. Kush i mbron një pjesë të prokurorëve dhe gjykatësve? Shpesh janë politikanët që vijnë nga Reçica e Vogël dhe Bihaçka, pasi ata janë bastion i tyre i fundit për mbrojte nga krimi i së kaluarës.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: VMRO-ja bllokoi reformat në gjyqësor
Nga LSDM kanë fajësuar VMRO-DPMNE-në në krye me Mickoskin se e kanë bllokuar agjendën reformuese.
“Mickoski refuzoi të miratojë ligjet e nevojshme për reformën dhe tregoi se nuk ka ndërmend një gjyqësor të pavarur, por vetëm një gjyqësor të robëruar dhe të bindur, nën diktatin e VMRO-DPMNE-së. Gjithsej 12 ligje ishin planifikuar për vitin 2025, asnjëri prej të cilëve nuk është paraqitur në Parlament. Në vend të reformave dhe një gjyqësori të pavarur, Mickoski e ka shndërruar gjyqësorin në një degë partiake, me gjyqtare që janë bashkëshorte të kryetarëve të bashkive të tij dhe të afërm të partnerëve të tij të koalicionit.”, thonë nga LSDM.
VMRO – DPMNE: Mbetjet e ish-pushtetit ndajnë drejtësi
Kundërpërgjigjen nga VMRO – DPMNE. Sipas tyre mbetjet e LSDM-së dhe BDI-së ende vazhdojnë të ndajnë drejtësi.
“Nake Gjorgiev, po ashtu edhe Ixhet Memeti, pranuan se morën 10.000 euro për të ndikuar në një vendim gjykate dhe e bënë këtë, dhe njëri u pajtua me Prokurorinë Publike, ndërsa tjetri mori vetëm një dënim me kusht. Prokuroria dhe gjyqësori i korruptuar nuk treguan asnjë interes, as nuk hapën procedura kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që Nake Gjorgiev dhe Ixhet Memeti kishin ndikuar. Nëse vëmendja e publikut nuk do të ishte përqendruar në këtë rast, ata mund të ishin shpallur të pafajshëm.”, - theksoi Viktorija Andonovska nga VMRO-DPMNE.
Sipas parashikimeve, rritja e buxhetit deri në vitin 2028 do të jetë 1.3% nga totali i prodhimit të brendshëm bruto apo 20 miliardë dollarë. 260 milionë dollarë do të përfundojnë në arkën e gjyqësorit. (Meral Ismaili, TVM2)
