Ekonomi

Lehtësimet për blerjen e banesës së parë, Sllaveski: Bankat të jenë gati për masën

24.09.2025 15:31

Sllavevski apelon bankat komerciale që të jenë gati me implementimin e masave që lehtësojnë kreditimin në rastin e blerjes së banesave...

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski, apelon bankat komerciale që të jenë gati me implementimin e masave që lehtësojnë kreditimin në rastin e blerjes së banesave apo shtëpisë për herë të parë. Sipas tij, kjo masë në praktikë është dëshmuar efektive ngaqë konsiderohet  se kjo kategori është më e kujdesshme në shlyerjen e obligimeve.
 
“Bankat kanë kohë dy muaj e gjysmë për përgatitje dhe presim që t’i bashkëngjiten vendimit. Në aspekt të asaj që bie në kompetencë të Bankës Popullore, rregullimi i pjesëmarrjes, këstit mujor për kreditin dhe kufizimi i lartësisë së pjesëmarrjes vetanake dhe vlera e pronës që mbetet në hipotekë, dua të theksoj se ne nuk jemi institucion që i cakton në këtë moment normat e interesit, por sipas një praktike botërore që bazohet në përqindjen e rrezikut se familjet që për herë të parë blejnë banesë ose shtëpi dhe banojnë në të, janë rrezik më i vogël në aspekt të shërbimit të obligimeve.”, - deklaroi guvernatori, Trajko Sllaveski.
 
Sipas vendimit të bordit ekzekutiv të Bankës Popullore, lehtësimi për blerjen e banesës së parë vlen për personat që në të vërtetë nuk kanë banesë ose shtëpi në emrin e tyre dhe planifikojnë të blejnë ose ndërtojnë shtëpi për jetesë, për të cilën duhet të plotësojnë kritere të caktuara. Me këtë qasje, sipas Sllaveskit, Banka Popullore po përshtatet me praktikën e një numri të madh bankash të tjera qendrore në botë.  Kjo masë do të fillojë me zbatim nga 1 dhjetori 2025.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU