Tramp: Kievi me mbështetje mund ta kthejë territorin
Nga deti Baltik deri në Detin e Zi...

Nga deti Baltik deri në Detin e Zi, vendet që kufizohen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën kanë frikë nga përhapja e luftës. Ministrat e mbrojtjes nga kufiri lindor i BE-së do të takohen të premten për diskutime.
Anëtaret e NATO-s do të rrëzojnë avionët rusë që shkelin hapësirën e tyre ajrore, ndërsa përfshirja eventuale e ShBA-së në këto veprime do të varet nga rrethanat, deklaroi presidenti amerikan Tramp.
“Gjithçka varet nga rrethanat. E dini, NATO-ja është forcuar. Kur buxheti u rrit nga 2 në 5 për qind, kjo ishte një njësi e jashtëzakonshme. Trilionë dollarë janë duke u investuar dhe ata po na paguajnë për armët që po dërgojmë. Ishte një ditë e madhe. Askush nuk e kishte menduar se diçka e tillë mund të ndodhte.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Trampi thotë se Kievi me mbështetjen e BE-së dhe NATO-s, është në një pozitë që mund ta rikthejë të gjithë territorin e humbur gjatë luftës. Presidenti ukrainas beson se Uashingtoni do ta shtyjë Rusinë drejt paqes. Në takimin bilateral, të dy presidentët kanë diskutuar për ndryshimin e situatës pas tre vite e gjysmë gjakderdhjeje. Zelenski para Këshillit të Sigurimit kritikoi Putinin dhe Kinën dhe i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës.
“Garancitë reale të sigurisë duhet të bëhen në vijë që Rusia nuk mund ta kalojë më kurrë. Nëse bashkoheni për ta përfunduar këtë luftë, edhe Rusia do të detyrohet të bindet. Por, nëse disa nga ju veprojnë derisa të tjerët vonojnë, lufta do të vazhdojë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë që në front vazhdojnë luftimet në disa drejtime, në OKB, BE-ja premtoi mbështetje të vazhdueshme për Kievin – ushtarakisht, ekonomikisht, politikisht dhe diplomatikisht.
“Në muajt e fundit, Rusia ka zgjedhur rrugën e përshkallëzimit dhe ka shtuar sulmet ndaj civilëve të pafajshëm, duke kryer shkelje të paprecedentë dhe të qëllimshme të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së me dronë dhe avionë. Rusia po minon paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Evropa dhe ShBA-ja do të bashkëpunojnë për të kthyer në shtëpi fëmijët e zhdukur nga Ukraina, tha presidentja e Komisionit Evropian. Në takimin me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Ursula von der Lejen, theksoi se Evropa synon të ndalojë së bleri naftë ruse deri në fund të vitit. (Fitore Demolli, TVM2)
