Gjykata Kushtetuese: Nuk hapet procedurë për këshilltarët
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash...

Gjykata Kushtetuese me shumicë votash i hodhi poshtë iniciativat e dorëzuara nga Skender Rexhepi, Kenan Ali, por edhe deputetët e Frontit, Salih Murat dhe Blerim Bexheti, të cilët kontestojnë vendimin qeveritar për ndryshimin e numrit të këshilltarëve në 17 komuna.
Sipas parashtruesve, vendimi qeveritar nuk kishte bazë ligjore, pasi ishte i bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 me të cilin popullata ndahej në rezidente dhe jorezidente, por Gjykata Kushtetuese më 26 qershor të këtij viti e shfuqizoi këtë kategorizim.
Kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, iniciativat i quajti në një pjesë manipuluese e një pjesë, juridikisht të palogjikshme dhe absurde.
“Vendimi qeveritar jo vetëm që është i drejtë, por është dhe ligjor dhe kushtetues, edhe e pasqyron realitetin. Metodologjinë e regjistrimit e shfuqizuam për arsye se ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës ka tejkaluar kompetencat, kjo është irelevante sa i përket kësaj çështjeje.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Në një linjë pro hedhjes poshtë të iniciativave u rreshtua gjyqtarja Tatjana Vasiq Bozaxhieva dhe gjyqtarja Jadranka Daboviq Anastasovska dhe Ana Pavllovska Daneva.
Në anën tjetër ishin të rreshtuar dy gjyqtarët shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, dhe ai turk, Fatmir Skender, të cilët ishin të mendimit se iniciativat me të drejtë kontestojnë vendimin qeveritar, pasi baza ligjore e këtij vendimi, pra Metodologjia e Regjistrimit që kategorizon popullatën në rezident dhe jorezident është shfuqizuar. Sipas vendimit të Qeverisë të miratuar më 24 shtator të vitit të kaluar, në 17 komuna ka ndryshim të numrit të popullatës.
Në tre prej tyre, respektivisht në Studeniçan, Karposh dhe Kisella Vodë, në këto zgjedhje parashikohet nga 4 këshilltarë më shumë.
Megjithatë, në 14 komuna do të ketë rënie të këshilltarëve. Më së shumti vërehet rënie në Gostivar, e cila prej 31 sa ka pasur paraprakisht, tani do të ketë 8 këshilltarë më pak, respektivisht 23. (Ersan Pajaziti, TVM2)
