Botë

Sulmet kibernetike në aeroportet europiane, arrestohet një person në Britani

24.09.2025 20:02

Një person është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me sulmin kibernetik...

Një person është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me sulmin kibernetik që shkaktoi ndërprerje të fluturimeve në aeroportin Heathrow të Londrës dhe disa aeroporte të tjera europiane fundjavën e kaluar.
 
Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) njoftoi se kishte arrestuar një person rreth të 40-ave në West Sussex, si pjesë e hetimeve për incidentin që preku kompaninë Collins Aerospace, e cila ofron teknologji për sportelet e regjistrimit të pasagjerëve për linjat ajrore.
 
NCA dhe oficerët e njësisë për krimin e organizuar e arrestuan të dyshuarin mbrëmjen e së martës, nën dyshimin për shkelje të Aktit për Keqpërdorimin e Kompjuterëve. Ai është liruar me kusht.
 
Incidenti kibernetik, i raportuar të premten e kaluar, shkaktoi vonesa dhe anulime të shumta në disa aeroporte. Brukseli ishte më i prekur. Linjat ajrore që përdorin sistemin e Collins u detyruan të regjistronin pasagjerët manualisht.
 
Në Heathrow, rreth 20 fluturime u anuluan gjatë fundjavës dhe shumica pësuan vonesa. Edhe aeroportet e Berlinit dhe Dublinit raportuan vonesa për shkak të incidentit.
 
Paul Foster, zëvendësdrejtor i NCA dhe drejtues i njësisë kombëtare për krimet kibernetike tha se, megjithëse ky arrestim është një hap pozitiv, hetimi për këtë incident është në fazat e tij të hershme dhe vazhdon.
 
“Krimi kibernetik është një kërcënim global i vazhdueshëm që vazhdon të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku me partnerët tanë këtu dhe jashtë vendit, NCA është e përkushtuar për të zvogëluar këtë kërcënim në mënyrë që të mbrojë publikun britanik”, u shpreh Foster.