Botë
Ursula von der Leyen mbështetë kufizimin e një moshe minimale për përdorimin e rrjeteve sociale
24.09.2025 20:53
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetjen e saj për kërkesën që të vendoset një moshë minimale për aksesin në rrjetet sociale.
“Gjithnjë e më shumë vende të Bashkimit Evropian besojnë se ka ardhur koha për të përcaktuar një ‘moshë digjitale të pjekurisë’ për përdorimin e rrjeteve sociale. Dhe duhet të them, si nënë e shtatë fëmijëve dhe gjyshe e pesë nipërve e mbesave, që e ndaj plotësisht këtë qëndrim”, deklaroi ajo gjatë një aktiviteti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Vendet e BE-së si Greqia, Franca dhe Danimarka, kanë shtuar presionin muajt e fundit për të vendosur një moshë digjitale të pjekurisë, duke argumentuar se rrjetet sociale mund të kenë ndikime negative tek të miturit.
Megjithatë, mënyra e zbatimit të këtij propozimi është ende objekt debati të fortë mes politikëbërësve.
Kujtojmë se Australia ka vendosur një moshë minimale prej 16 vjeç për krijimin e llogarive në disa platforma të rrjeteve sociale, që do të hyjë në fuqi në fund të vitit.
Duke folur së bashku me Kryeministrin australian, Anthony Albanese, von der Leyen konfirmoi se janë në plan për të krijuar një komision të BE-së, i cili do të “vlerësojë cilat masa janë të arsyeshme për t’u zbatuar në nivel evropian”.
