Botë
Netanjahu para nisjes për në OKB: S’do të ketë shtet palestinez në tokën e Izraelit
25.09.2025 11:20
Netanjahu u zotua të enjten se do të “denoncojë” udhëheqësit e vendeve perëndimore që kanë njohur një shtet të pavarur palestinez...

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, u zotua të enjten se do të “denoncojë” udhëheqësit e vendeve perëndimore që kanë njohur një shtet të pavarur palestinez në fjalimin e tij të ardhshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, unë do të flas të vërtetën tonë – të vërtetën për qytetarët e Izraelit, të vërtetën për ushtarët tanë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe të vërtetën për vendin tonë.”, tha Netanjahu. “Do t’i denoncoj ata udhëheqës që, në vend që të denoncojnë vrasësit, përdhunuesit dhe djegësit e fëmijëve, duan t’u japin atyre një shtet në zemër të Tokës së Izraelit. Kjo nuk do të ndodhë.”, shtoi ai.
Çështja e një shteti palestinez dhe njoftimet për njohje ditët e fundit nga vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja dhe Portugalia, pritet të dominojnë takimet e Netanjahut me udhëheqës të tjerë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe takimin e tij me presidentin e ShBA-së, Donald Tramp, në Uashington, të hënën.
