Maqedoni
Zhvillimi rural, vendi drejt standardeve evropiane
25.09.2025 14:16
Interesimi i të rinjve në vend për zhvillimin rural dhe bujqësinë...

Interesimi i të rinjve në vend për zhvillimin rural dhe bujqësinë është i ulët. Megjithatë vendi si vend kandidat nevojitet që t’i përafrohet standardeve evropiane në këtë sektor, pra të angazhohet për bujqësi të qëndrueshme moderne.
Institucionet e vendit në bashkëpunim me Unionin kanë shtuar trajnimet e të rinjve për të rritur interesin e tyre për zhvillimin rural, si dhe kultivimin e produkteve organike.
“E dimë që të rinjtë shumë pak qarkullojnë në mjediset rurale. Konsideroj se nevojitet mbështetje, e cila do t’i ngrejë në këmbë të rinjtë, do t’u sigurojë kushte që ata të merren me aktivitete rurale dhe bujqësi.”, - tha bujku, Goran Balevski.
Sipas ekspertëve edhe BE-ja ndeshet me interesin e ulët të të rinjve për t’u marrë me bujqësi.
“Në BE rreth 12% e ekonomisë bujqësore po udhëhiqen nga të rinjtë. Përqindja e ngjashme është edhe tek ne. Me të vërtetë po bëhet sfiduese. Andaj ky është edhe fokusi i BE-së për të ardhmen e sektorit deri në vitin 2040.”, - deklaroi profesoresha në Fakultetin e Bujqësisë, Aleksandra Martinovska Stojçevska.
Maqedonia e Veriut për të harmonizuar standardin me BE-në do të ketë ndihmën sllovake, pasi zhvillimi i bujqësisë do ta bëjë vendin më konkurrues.
“Bujqësia është vitale për ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Si vend kandidat për anëtarësim në BE, politikat bujqësore dhe standardet nuk janë vetëm të domosdoshme, por edhe kusht për zhvillim të qëndrueshëm, modernizim dhe konkurrencë. Sllovakia do të ndihmojë që të përmbushni kriteret për zgjerim në sektorin e bujqësisë.”, - theksoi ambasadorja e Sllovakisë, Iveta Hricova.
Reformat në bujqësi janë pjesë e kapitullit 11, që kanë të bëjnë me bujqësinë dhe zhvillimin rural, pjesë e legjislaturës evropiane.
MERAL ISMAILI
