Maqedoni

LSDM-ja me propozim-rezolutë, Filipçe: Synohet zhbllokimi i eurointegrimeve

25.09.2025 14:54

LSDM-ja ka dalë me një propozim-rezolutë për përcaktimin e pozicioneve...

LSDM-ja ka dalë me një propozim-rezolutë për përcaktimin e pozicioneve shtetërore dhe kombëtare për vazhdimin e procesit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. 
 
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se dy pikat më të rëndësishme të propozim-rezolutës janë përcaktimi për respektim të pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me Bashkimin Evropian dhe, e dyta, vendi është i gatshëm që t’i përmbushë obligimet nga Korniza e Negociatave me BE-në, përmes përmbushjes së ndryshimeve kushtetuese, pa pranuar kërkesa të reja me karakter bilateral ose identitar.
 
“Të gjitha çështjet bilaterale me Bullgarinë do të zgjidhen përmes bisedimeve bilaterale dhe instrumenteve mes dy shteteve, mbi baza të barabarta, pa krijuar bllokada të reja në procesin negociues.”, - deklaroi Venko Filipçe nga LSDM.
 
Ky propozim-dokument do t’u dërgohet fillimisht partive politike, që ato ta shqyrtojnë tekstin dhe të japin propozimet e tyre dhe më pas t’i dorëzohet edhe Qeverisë me afate kohore për zbatimin e dispozitave të rezolutës që lidhen me procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Sipas kornizës kohore të propozuar, Qeveria duhet t’i shqyrtojë amendamentet e vitit 2023 për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në Kushtetutë dhe të deklarohet nëse mbetet në të njëjtin tekst ose përgatit tekst të ri të amendamenteve kushtetuese nga 15 deri më 25 nëntor 2025.
 
Nëse propozohet tekst i ri i amendamenteve, ai të miratohet nga Qeveria dhe të dërgohet në Kuvend deri më 1 dhjetor 2025. Kuvendi të nisë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës dhe të arrijë në fazën e votimit të parë më së voni deri më 15 dhjetor 2025. Kuvendi të përfundojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës me votimin final më së voni deri më 10 shkurt 2026.” parashikohet në propozim-rezolutën e LSDM-së.
 
“Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ketë qasje proaktive për vazhdimin e bisedimeve me BE-në, sepse kjo është në interesin tonë dhe në interes të qytetarëve tanë. Pritja e mëtejme nuk i përmirëson pozitat tona, prandaj është i nevojshëm angazhim intern në nivel të BE-së për hapat e mëtejmë të procesit edhe në nivel të koordinimit për plotësimin e obligimeve në kornizën e bisedimeve tek ne në shtëpi.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Në ditën e votimit final në Parlament, sipas propozim-dokumentit, Qeveria duhet të dërgojë letër deri te vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian për përmbushjen e obligimit për zhbllokimin e procesit negociues dhe të dorëzojë dokumentet e nevojshme që zakonisht kërkohen për negociata.
 
Në të njëjtën letër, Qeveria do t’i bënte thirrje KE-së të organizojë një Konferencë Ndërqeveritare mes vendeve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, në të cilën do të merreshin vendimet e nevojshme për zhbllokimin e negociatave dhe hapjen e klasterit të parë, jo më vonë se 15 shkurt 2026.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI