Botë

Shqipëri, shkarkohet kryebashkiaku Erion Veliaj

25.09.2025 16:10

Këshilli i Ministrave shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj...

Këshilli i Ministrave shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Vendimi erdhi dy ditë pas Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e tij me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë.
 
Pritet të shihet lëvizja e kryeministrit nëse do ta dërgojë menjëherë vakancën në bashkinë e Tiranës për në presidencë, ku Bajram Begaj do të duhet që të shprehet brenda 48 orëve me një dekret për datën e zgjedhjeve, apo kryeministri do të presë afatin 15 ditor, kohë deri kur Veliaj ka të drejtën të ankimojë këtë vendim të shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.
 
Një ankimim i Veliajt do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë, nga miratimi i shkarkimit në Këshillin Bashkiak, vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave dhe deri te mbajtja e zgjedhjeve.
 
Erion Veliaj, i cili e ka mbajtur që prej vitit 2015 detyrën e kryetarit të Bashkisë, ndodhet në burg që prej 10 shkurtit. SPAK-u e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq me 13 akuza, prej të cilave korrupsion në 9 raste.
 
LULJETA NDOKA