Maqedoni
Kumanovë, hapet Konsullata e nderit e Republikës së Kazakistanit
25.09.2025 15:51
Në një atmosferë solemne e në prezencën e mysafirëve të shumtë...

Në një atmosferë solemne e në prezencën e mysafirëve të shumtë, në Kumanovë solemnisht është hapur Konsullata e nderit e Republikës së Kazakistanit në RMV. Për rolin dhe rëndësinë e kësaj përfaqësie konsullare folën ambasadori i Kazakistanit në RMV, Satybaldy Burshakov, si dhe konsulli i nderit, Ejup Abdullahi.
“Këtë vit Kazakistani dhe Maqedonia e Veriut po shënojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ky aspekt historik i rëndësishëm u inaugurua me ceremoninë zyrtare të hapjes së Ambasadës së Kazakistanit në Shkup, në fillim të korrikut. Gjatë dekadave, vendet tona kanë vendosur dialog politik në nivel të lartë, kontakte dinamike midis qeverive dhe parlamenteve, si dhe ndërveprim kulturor dhe humanitar.”, theksoi ambasadori i Kazakistanit në RMV, Satybaldy Burshakov.
“Me themelimin e kësaj konsullate hapim një paltformë të rëndësishme për bashkëpunimin në fushën e biznesit, arsimit, kulturës dhe më gjerë. Ky institucion nuk do të shërbejë vetëm për përforcimin e marrëdhënieve diplomatike, por edhe për nxitjen e shkëmbimit të ideve, investimeve dhe miqësive të reja. Në plan personal, marrja e detyrës si konsull nderi i Kazakistanit është një përgjegjësi të cilën e pranoj me përulësi të thellë dhe me krenari të madhe, për mua kjo nuk është thjeshtë një titull, është një mision, një mision për të promovuar respektin e ndërsjellë për të lidhur njerëzit dhe për të krijuar mundësi që do t’i sjellin dobi të përbashkëta të dy vendeve tona.”, - theksoi konsulli i nderit i Republikës së Kazakistanit në RMV, Ejup Abdullahi.
Gjatë fjalimeve u potencua mundësia e krijimit të urave të bashkëpunimit të bizneseve, por edhe hapja e mundësive të reja për veprimtari të ndryshme ekonomike në të dyja vendet mike.
FATLUM AQIFI
