Maqedoni
Zjarri në Trubarevë, kontrollohet gjendja shëndetësore e qytetarëve
25.09.2025 16:29
Në Trubarevë po kontrollohet gjendja shëndetësore e qytetarëve...

Në Trubarevë po kontrollohet gjendja shëndetësore e qytetarëve për probleme të mundshme me organet e frymëmarrjes, si pasojë e zjarrit të para disa ditësh në fabrikën për mbeturina elektronike.
Ministria e Shëndetësisë informoi se në ditën e parë të skriningut janë kontrolluar gjithsej 111 persona në dy pika, 56 persona në pikën e parë dhe 55 persona në pikën e dytë të kontrollit.
Gjendja shëndetësore e pacientëve është përgjithësisht e mirë, por tek 11 persona është konstatuar prania e iritimeve dhe shqetësimeve në fyt, për çka ata janë dërguar për ekzaminime shtesë në Klinikën e Pulmologjisë.
Raste më serioze menjëherë janë dërguar në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa për pacientët të cilët kanë simptoma më të lehta, u rekomandojnë ushqim më të pasur me vitamina, të evitojnë daljet jashtë pa nevojë ose të mbajnë maska gjatë ekspozimit në ambiente të hapura.
Skriningu përfshin kontroll klinik, matje të pulsit, saturimit dhe vlerësim të kapacitetit vital.
