Botë
Osmani dhe Kurti në Nju Jork, Begaj: Kosova të anëtarësohet në OKB
25.09.2025 17:13
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka takuar përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit.
Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore. Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Presidentja Osmani njëherësh theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
"Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim. Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.", ka theksuar presidentja, Osmani.
Ajo në Nju Jork ka takuar edhe sekretarin amerikan të shtetit, Marko Rubio, me të cilin, siç ka njoftuar Osmani, ka zhvilluar një bisedë “përmbajtësore”.
Drejt Nju Jorkut ka udhëtuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili, siç ka njoftuar Qeveria do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti në ShBA do të takojë edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar. Ndërsa gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë thirrje që Kosova të mbështetet në synimet te saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Republika e Kosovës është gjithnjë kontribuuese në paqe, dialog dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor. Shtatëmbëdhjetë vjet pasi e shpalli pavarësinë, Kosova ka dëshmuar përmes veprimeve të saj se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit dhe vlerave demokratike, me institucione të forta dhe popullsi vitale. Kontributi i saj në bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë është i pamohueshëm. Vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Evropës.”, - theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Por, për dallim nga presidenti shqiptar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij tha se Kosova është "pjesë e pandashme e Serbisë" dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” e Serbisë.
GYLTENE SINANI
