Botë
Gazë, vazhdojnë sulmet izraelite, u vranë 80 palestinezë
25.09.2025 17:35
Izraeli vazhdon ofensivën ajrore dhe tokësore në Gazë...

Izraeli vazhdon ofensivën ajrore dhe tokësore në Gazë, me shpërthime dhe viktima të reja. Më shumë se 80 palestinezë u vranë, shumica e tyre në qytetin e Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Gra dhe fëmijë ishin në mesin e të paktën 20 personave që vdiqën. Ushtria izraelite tha se vrau dy luftëtarë të Hamasit dhe se numri i viktimave nuk përputhej me informacionin e saja.
Ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se do ta shfrytëzojë fjalimin për të treguar të vërtetën e Izraelit dhe për të dënuar liderët që kanë njohur Palestinën.
"Do ta paraqes të vërtetën tonë, të vërtetën e qytetarëve të Izraelit dhe të ushtarëve tanë. Do t’i dënoj ata liderë, të cilët në vend që të dënojnë vrasësit dhe përdhunuesit, duan t’u japin atyre një shtet në zemër të Izraelit. Kjo nuk do të ndodhë. Me Trampin do të bisedoj rreth nevojës për të përmbushur synimet e luftës. T’i kthejmë të gjitha pengjet dhe ta fitojmë Hamasin.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, protestues izraelit në aeroportin “Ben Gurion” para aterimit për në ShBA, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Netanjahu, fundin e luftës dhe i kanë bërë thirrje presidentit Tramp për lirimin e pengjeve.
“Mendoj se Netanjahu do të bllokojë çdo lloj shansi për arritjen e një marrëveshjeje për shpëtimin e pengjeve tona dhe përfundimin e luftës. Ne duhet patjetër të ngrihemi kundër tij dhe ta rikthejmë demokracinë në Izrael.”, - tha një protestues në Izrael.
Sulm me dronë në Izrael, mbi 20 të plagosur, përgjegjësinë e sulmit e merr grupi Huthi
Në të njëjtën kohë, Hamasi ka lëshuar një paralajmërim urgjent ndaj udhëheqjes izraelite, duke theksuar se vazhdimi i operacioneve ushtarake në Gazë rrit rrezikun për jetën e pengjeve dhe ka kërkuar tërheqje të menjëhershme të forcave izraelite.
Nga ana tjetër, më shumë se 20 persona janë plagosur si pasojë e një sulmi me dronë të kryer nga rebelët Huthi në qytetin jugor izraelit Eilat. Dronët kanë goditur një qendër tregtare, ndërsa sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore nuk kanë arritur t’i neutralizojnë në kohë.
"Kjo është përgjigje për krimet që armiku ynë, Izraeli, kryen mbi vëllezërit tanë në Gazë dhe agresionit kundër vendit tonë. Ne kemi kryer me sukses një operacion ushtarak me dy dronë dhe kemi arritur objektivin tonë.", - theksoi zëdhënësi i ushtrisë së Huthive, Jahja Sari.
Ky është sulmi i dytë i tillë brenda disa ditësh, pasi një incident i ngjashëm ndodhi më parë kur një hotel në të njëjtin qytet u godit.
FARIJE DAUTI BAKIU
