Rajon
Hoxha: Dronë serbë kanë fluturuar mbi veriun e Kosovës
26.09.2025 14:04
Dronë të dyshuar nga Serbia kanë fluturuar në veri të Kosovës, bën të ditur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha...

Dronë të dyshuar nga Serbia kanë fluturuar në veri të Kosovës, bën të ditur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Sipas tij, Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in, jemi duke bërë monitorimin dhe për të parë se çfarë mund të bëhet.”, - deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Hoxha megjithatë thotë se kjo paraqet rrezik për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët mbrohen nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit, po, por për qytetarët tanë në jug, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it.”, - theksoi drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Drejtori i Policisë, Hoxha, tha se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe KFOR-i është duke punuar në këtë drejtim. Shkelja e hapësirave ajrore të Kosovës nga dronë të Serbisë është konfirmuar ditë më parë edhe nga ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
GYLTENE SINANI
