Maqedoni

Debat publik, diskutohet propozim-ligji për zbatimin e sanksioneve

26.09.2025 14:15

Zgjerimi i kompetencave institucionale, trajnimi i vazhdueshëm i stafit në drejtori dhe burgje...

Zgjerimi i kompetencave institucionale, trajnimi i vazhdueshëm i stafit në drejtori dhe burgje, si dhe zbatimi më i mirë dhe më efikas i sanksioneve ishin në fokus të debatit kushtuar ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit për zbatimin e sanksioneve. 
 
“Në këtë propozim-ligj fillimisht u saktësuan disa kompetenca të Këshillit Penal, përballë kompetencave të gjykatësve për zbatimin e sanksioneve, më pas po parashikohet ndryshime të zbatimit të sanksioneve për shkeljet që kanë të bëjnë me projektin “Safe City”, pra si do të zhvillohet i gjithë implementimi i tij, zbatimi i shtyrë është harmonizuar me këto ndryshime.”, - deklaroi kryetarja e grupit punues, Gordana Lazhetiq. 
 
“Po shpresoj se me këto ndryshime dhe plotësime të cilat parashihen të miratohen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të arrijmë të kemi sistem më të mirë, më të qëndrueshëm dhe cilësor të burgjeve. Synimi i këtyre ndryshimeve është pikërisht kjo.”, - theksoi drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov.
 
Në këto ndryshime dhe plotësime vëmendje të madhe do t’i kushtohet të drejtave dhe kushteve të të burgosurve, duke filluar nga arsimimi, shëndetësia dhe e drejta e punësimit të tyre, tha Lazhetiq. Drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov, tha se përveç kësaj duhet të gjendet edhe modalitet më i mirë për risocializimin e të burgosurve, pasi që gjysma e të burgosurve, të cilët përfundojnë dënimin, përsëri bëjnë vepra penale dhe rikthehen nëpër burgje. 
 
“Nuk mund të them se jam 100 për qind i sigurt, por mendoj se gjatë vitit 2023 - 2024, rreth 67 për qind e personave të cilët janë burgosur, ishin të rikthyer dhe kjo do të thotë se ne kemi risocializim shumë të dobët ndaj të burgosurve, pasi që ata përsërisin veprat penale. Si shembull do ta marr Burgun e Idrizovës, ku një person për risocializim u shërben qindra të burgosurve, ndërkohë e dimë se ka standarde për këtë çështje, ku numri i burgosurve nuk duhet të jetë më shumë 30 apo 50.”, - u shpreh drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Panov.
 
Në këtë debat morën pjesë shumë profesorë universitarë, gjyqtarë, prokurorë, si dhe përfaqësues të burgjeve. Në këto ndryshime, shtoi Panovi, duhet të parashihen jo vetëm punësime të reja nëpër institucionet ndëshkuese përmirësuese, por dhe të ketë edhe rritje të pagave të tyre, edhe pse kjo gjë do të shkaktonte implikime shtesë financiare. 
 
REXHEP QAMILI