Maqedoni

Sanksione për këmbësorë dhe drejtues, dënim 40 euro për përdorimin e pajisjeve elektronike

26.09.2025 14:49

Këmbësorët që kalojnë rrugën duke përdorur telefonin...

Këmbësorët që kalojnë rrugën duke përdorur telefonin, kufje në të dyja veshët, orë inteligjente apo tabletë, tani përballen me sanksione të reja ligjore. Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor njofton se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Ligjin për Sigurinë e Trafikut, të cilat synojnë rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit më të cenueshëm në trafik dhe reduktimin e numrit të aksidenteve të shkaktuara nga pakujdesia.
 
Kjo masë u ndërmor për shkak të rritjes së rasteve të aksidenteve, ku këmbësorët janë përfshirë, duke përdorur pajisje që ua shpërqendrojnë vëmendjen. Në përputhje me këtë, edhe policia e trafikut do të ushtrojë kontrolle më të rrepta për të verifikuar zbatimin e këtyre rregullave dhe për të ndëshkuar shkelësit.
 
“Zgjidhjet e reja ligjore janë futur me qëllim të eliminimit të disa zakoneve tek këmbësorët dhe drejtuesit e kategorive të caktuara të mjeteve. Sipas ligjit, këmbësori është i detyruar që kur lëviz në rrugë sipas kushteve të përcaktuara nga ky ligj, ose kur kalon rrugën, pistën apo korsinë e biçikletave, të veprojë me kujdes dhe të mos përdorë pajisje elektronike që mund të zvogëlojnë vëmendjen, siç janë kufjet në të dyja veshët, telefoni celular, tableti, ora inteligjente ose ndonjë pajisje tjetër elektronike, gjatë kalimit të rrugës, pistës apo korsisë së biçikletave.”, - deklaroi Goce Andrevski nga MPB.
 
Sipas ligjit të ri, këmbësorët që nuk respektojnë rregullat e kalimit të rrugës dhe përdorin pajisje elektronike që ua zvogëlojnë vëmendjen, do të penalizohen me një gjobë prej 40 eurosh. 
 
“U informuam tash, pasi na shqiptuan dënimi. Nuk e kemi ditur më herët, sepse nuk kemi lexuar njoftimet.”, - tha një qytetar.
 
“Kur kalojmë rrugën shikojmë në telefon dhe nuk shikojmë anash nëse ka veturë, prandaj telefonat janë rrezik për sigurinë tonë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Nuk flas shpesh në telefon në komunikacion, shumë rrallë flas, vetëm nëse është diçka urgjente e kap telefonin. Përndryshe jo!”, - u shpreh një qytetar.
 
Rregullat e njëjta vlejnë edhe për drejtuesit e biçikletave, motoçikletave, mopedëve, triçikleve dhe katërçikleve. Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor thekson rëndësinë e respektimit të këtyre rregullave si një nga masat kryesore për parandalimin e aksidenteve rrugore, të cilat në shumë raste shkaktohen pikërisht nga shpërqendrimi i pjesëmarrësve në trafik.
 
Statistikat e viteve të fundit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve me pasoja fatale në rrugë janë shkaktuar nga përdorimi i pajisjeve elektronike gjatë kalimit të rrugës ose gjatë drejtimit të mjeteve. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU