Maqedoni

Rezoluta e LSDM-së, Socialdemokratët kërkojnë mbështetje

26.09.2025 15:06

LSDM-ja ka kërkuar mbështetje për rezolutën që parashikon rrugëtimin e mëtejmë të vendit drejt familjes evropiane....

LSDM-ja ka kërkuar mbështetje për rezolutën që parashikon rrugëtimin e mëtejmë të vendit drejt familjes evropiane. Sipas zëdhënëses së partisë, Bogdanka Kuzeska, dokumenti është për të unifikuar qëndrimet shtetërore, e jo për të krijuar përçarje.
 
“Mendoj se ky apel do të mbërrijë tek të gjithë, pasi që bëhet fjalë për propozim rezolutë, e cila është për unifikim dhe nuk është për ndarje, e aq më pak për përplasje politike. Ky është propozim-rezolutë e bërë me qasje serioze, me ekspertë dhe shumë e saktë. Andaj duam që të lëmë kohë, ta rishikojnë të gjitha partitë politike dhe pas kësaj të deklarohen.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Miteva: Nuk pamë asgjë të re nga dokumenti
 
Por, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, në një intervistë të saj publike është shprehur se rezoluta e socialdemokratëve nuk paraqiste element të ri në proces pa kurrfarë vija të kuqe.
 
"Nuk pamë asgjë të re. Kur flasim për interesa kombëtare, rregulli i parë është të kemi seriozitet dhe vazhdimësi, veçanërisht në pozicione. Nuk kam parë diçka të tillë nga LSD-ja. Nuk ka të bëjë me një rezolutë të re. Më vjen keq që kemi një situatë ku rezoluta e shpallur me pompozitet të një muaji më parë përfundoi me një njoftim dhe shpjegim të shkurtër se do t'u paraqitet partive politike, por edhe një kërkesë që të mos jetë temë diskutimi gjatë kësaj periudhe, por pas zgjedhjeve.”, është shprehur zëdhënësja e qeverisë Miteva.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, thelbi i kontestit nuk është vetëm përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, por kërkesa të reja bullgare që do të paraqiten rrugës. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se VMRO-DPMNE do të përgatisë një rezolutë të vërtetë pas zgjedhjeve, që sipas tij, do të mbrojë interesat kombëtare maqedonase.
 
MERAL ISMAILI