Maqedoni
KShZ-ja e mbylli Listën Zgjedhore, të drejtë vote kanë 1.832.415 votues
26.09.2025 15:28
Në zgjedhjet e ardhshme lokale të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 votues

Në zgjedhjet e ardhshme lokale të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 votues, aq sa janë të regjistruar në Listën Zgjedhore, informoi sot kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko. Sipas evidencës së organeve kompetente, siç tha Kondarko, të drejtë vote kanë gjithsej 112.000 votues që janë përkohësisht në punë ose qëndrim jashtë vendit, 2.162 votues që ndodhen në paraburgim ose vuajnë dënim me burg, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve. Në seancën e 138-të të sotme, KShZ-ja njëzëri solli vendim për mbylljen e Listës Zgjedhore për realizimin e zgjedhjeve lokale, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor.
“Komisioni Shtetëror Zgjedhor e mbyll Listën Zgjedhore për realizimin e zgjedhjeve për këshillat e komunave dhe Këshillin e Qytetit të Shkupit, si dhe për kryetarë komunash dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, që do të mbahen më 19 tetor 2025. Qytetarët nënshkruhen në një Listë Zgjedhore dhe votojnë në zgjedhjet lokale. Pra, ekziston vetëm një listë zgjedhore në vendvotimet për zgjedhjet lokale.”, - deklaroi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
Siç u sqarua nga anëtari i KShZ-së, Angellço Ristov, në shtet janë konstatuar 3.480 vendvotime, prej të cilave në 132 vendvotime janë nënshkruar më pak se dhjetë votues. Votimi për ta do të mbahet në vendvotimin më të afërt.
“Në propozim-udhëzim, në mënyrë taksative janë cekur të gjitha komisionet komunale zgjedhore dhe të gjitha vendvotimet në të cilat janë regjistruar më pak se dhjetë votues, ku nuk do të votohet në atë vendvotim, por në vendvotimet e cekura votimin do ta mbajë këshilli më i afërt nga vendvotimi më i afërt i vendvotimit të cekur. Komisionet komunale zgjedhore nuk do të dërgojnë këshilla votues dhe votuesit e njëjtë do ta realizojnë të drejtën e votës në vendvotimin më të afërt me mbi dhjetë votues të regjistruar.”, - theksoi anëtari i KShZ-së, Angellço Ristov.
Në një seancë para disa ditësh, KShZ-ja përmes shortit përcaktoi renditjen në fletëvotim për zgjedhjet lokale. Në nëntë vendet e para të fletëvotimit janë partitë dhe koalicionet parlamentare. Numrat rendorë nga 10 deri 33 do t’u takojnë partive dhe koalicioneve joparlamentare, ndërsa listat e pavarura të kandidatëve në fletëvotim do të jenë me numrat rendorë nga 34 deri 153.
ERSAN PAJAZITI
