Botë

Intensifikohen sulmet izraelite, nuk ka mbetur asnjë qendër mjekësore në Gazë

26.09.2025 16:09

Izraeli vazhdon të bombardojë në Gazë...

Izraeli vazhdon të bombardojë në Gazë, duke detyruar banorët të largohen masivisht nga zonat e prekura. Një nga goditjet e fundit shkatërroi një spital gjashtëkatësh të Shoqatës Palestineze për Ndihmë Mjekësore në lindje të Gazës. Kjo qendër ofronte kujdes për mbi 1.000 pacientë në ditë, përfshirë shërbime themelore dhe trajtime për trauma.
 
Me këtë sulm, të gjitha klinikat fikse të organizatës në qytetin e Gazës janë jashtë funksionit. Banorët lokalë thonë se nuk kanë më as kujdes mjekësor dhe as vende të sigurta për të qëndruar.
 
“Që nga pardje, qendrat tona mjekësore janë shënjestruar drejtpërdrejt, fillimisht në kampin Al-Shati dhe më pas klinika e Ndihmës Mjekësore në lagjen Samer. Sot, një tjetër qendër e Ndihmës Mjekësore në Tel al-Haëa u godit. Për fat të keq, këto sulme kanë shkatërruar të gjitha qendrat tona të përhershme mjekësore në qytetin e Gazës, duke çuar në një ndalim të plotë të shërbimeve shëndetësore.”, - deklaroi drejtori i  Shoqatës Palestineze për Ndihmë Mjekësore, Mohamed Abu Afesh.
 
“Bombardimi i Qendrës së Ndihmës Mjekësore ka detyruar gjysmën e banorëve të lagjes të largohen. Nuk ka më jetë këtu, nuk ka më qendër mjekësore që të kujdeset për njerëzit. Siç po shihni, njerëzit po largohen nga zona, pasi objekti shëndetësor u godit.”, - tha banori i zhvendosur, Deeb Zaza.
 
“Shoqata u siguronte banorëve ujë dhe kujdes shëndetësor. Tani shumica e njerëzve po largohen nga zona. Shumica e banorëve të Gazës po ikin drejt jugut në kërkim të sigurisë, dhe siç mund ta shihni, sendet tona janë në rrugë dhe nuk po gjejmë asnjë vend të sigurt.”, - u shpreh banori i zhvendosur, Ahmad Al-Ramlai.
 
Në këtë sfond, ministri i Jashtëm i Britanisë, Dejvid Lami, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dënoi situatën në Gazë si "të papranueshme" dhe mbrojti vendimin e Londrës për njohjen formale të shtetit palestinez. 
 
“Ajo që po ndodh në Gazë është e pambrojtshme. Është çnjerëzore. Është plotësisht e pajustifikueshme dhe duhet të marrë fund tani. Populli i Palestinës, shtetin e të cilit ne me krenari e njohëm këtë javë, dhe populli i Izraelit, meritojnë më mirë.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Britanisë, Dejvid Lami.
 
Për Bregun Perëndimor, Tramp: Nuk do ta lejoj Izraelin të aneksojë
 
Ndërkohë demonstrues pro-palestinezë dhe pro-izraelitë janë mbledhur jashtë hotelit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, në Nju York, para fjalimit të liderit izraelit në Kombet e Bashkuara. Ai do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp në Uashington, ndërsa ministrat izraelitë po shqyrtojnë mundësinë e aneksimit të Bregut Perëndimor si përgjigje ndaj njohjes së shtetit palestinez nga Franca, Britania dhe disa vende të tjera perëndimore. 
 
"Unë nuk do të lejoj që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor. Jo, nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë.", - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
"A keni biseduar me Netanjahun për këtë?", - e pyeti një gazetar.
 
"Po, por nuk do ta lejoj, pavarësisht nëse kam biseduar apo jo. Kam biseduar, por nuk do ta lejoj që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor. Ka mjaftuar. Është koha të ndalet tani.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Udhëheqësit arabë zhvilluan një takim me presidentin amerikan, Donald Tramp, për të diskutuar situatën në Palestinë dhe nevojën për përfundimin e luftës në Gazë, si parakusht për krijimin e shtetit palestinez.
 
FARIJE DAUTI BAKIU