Lindja e Mesme, është zbuluar plani i paqes nga ana e Tramp për Gazën
Pas takimeve me liderët e Lindjes së Mesme...

Pas takimeve me liderët e Lindjes së Mesme, është zbuluar plani me 21 pika i Presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Dokumenti parasheh ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, lirimin e të gjithë pengjeve, transferimin gradual të pushtetit në Gaza dhe çarmatimin e Hamasit.
Në këmbim, anëtarët e këtij grupi militant do të përfitonin falje nëse bien dakord të çarmatosen dhe të largohen nga Gaza. SHBA-të do të garantonin që Izraeli nuk do ta aneksojë Bregun Perëndimor, ndërsa të dy palët do të angazhoheshin për rifillimin e negociatave drejt një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit izraelito-palestinez.
“Mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje për Gazën. Është një marrëveshje që do të sjellë kthimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës. Një marrëveshje që do të sjellë paqe,” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Në terren, ofenziva izraelite kundër grupeve militante vazhdon. Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, organizata “Mjekët pa Kufij” ka ndërprerë aktivitetet e saj.
Ndërkohë, fjalimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, në OKB, ku deklaroi se njohja e një shteti palestinez nga Perëndimi është "çmenduri", është kritikuar jo vetëm nga pjesë të komunitetit ndërkombëtar, por edhe nga vetë banorët e Gazës.
“Vendimi për një shtet palestinez nuk i takon Netanjahut. Pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, më herët apo më vonë, populli palestinez do ta fitojë pavarësinë dhe do të ketë shtetin e vet sovran,” – tha një i zhvendosur nga Gaza.
“Jemi të rraskapitur. Lufta zgjat tashmë dy vjet. Jemi të lodhur duke u zhvendosur nga një vend në tjetrin, nuk ka punë, jeta është shumë e vështirë. Shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt,” – deklaroi një tjetër i zhvendosur nga Gaza.
Ndërkohë, dhjetëra mijëra jemenas dolën në protesta masive në mbështetje të Gazës dhe kundër sulmeve ajrore izraelite të ndodhura një ditë më parë.
“Ne qëndrojmë të bashkuar me Gazën. Sulmet izraelite ndaj Jemenit nuk do të na dekurajojnë, as do të na ndalojnë të mbështesim popullin e Gazës,” – u shpreh Ali Mahab, anëtar i Këshillit politik suprem të Jemenit.
Kjo iniciativë për zgjidhjen e luftës në Lindjen e Mesme vjen në një moment kur bashkësia ndërkombëtare përballet me presionin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për një nga konfliktet më të gjata të historisë moderne. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
