Shkupi mbytet me mbeturina, qytetarët: Të pastrohen mbeturinat sa më parë
Kryeqyteti i vendit gjatë javëve të fundit...

Kryeqyteti i vendit gjatë javëve të fundit është i kapluar me mbeturina që nuk pastrohen në kohë. Deponi të vogla gjenden thuajse në të gjitha lagjet, dhe shiu e ka vështirësuar problemin sepse është përhapur erë e pakëndshme.
Qytetarët e anketuar shprehen të revoltuar, ata thonë se mbeturinat janë të rrezikshme për përhapjen e sëmundjeve infektive, dhe njëherit apelojnë autoritetet kompetente që të ndërmarrin masa sa më parë për pastrimin dhe largimin e mbeturinave nëpër qytet.
“Kjo nuk ka qenë kurrë kështu, 45 vite jam në Shkup. Mbeturinat e lëna kështu janë infeksion i gjallë”.
“Mbeturinat prej qytetarëve dhe nga ata që duhet ti pastrojnë. Duhet secili ta merr bërllogun dhe ta hedh në vendin e caktuar, dhe jo ti hudhin ku të munden.”
“Katastrofë janë rrugët, me mbeturina, e posaçërisht pranë shkollave.” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.
Qyetarët poashtu potencojnë se nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm nëpër lagje, prandaj dhe përfundojnë në gjendje të këtillë.
Nga “Higjiena Komunale” e Shkupit thonë se për shkak të sasisë së shtuar të mbeturinave komunale ndodhë që të ketë vonesa në mbledhjen e mbeturinave, por sipas tyre aktivitetet po zhvillohen në përputhje me dinamikën e parashikuar për grumbullimin.
Derisa institucionet garojnë mes vete, dëmin e vërtetë e pësojnë qytetarët. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
