Rasti i 13- vjeçares në Haraçinë, psikologët: S’duhet neglizhuar aspekti psikologjik
Ngjarja ka nxjerrë në pah një nga plagët më të thella...

“Raste të ngjashme me përfundim tragjik mund të përsëriten,”- ky është paralajmërimi i drejtpërdrejtë i profesionistëve të shëndetit mendor, pas humbjes së 13-vjeçares në Haraçinë, në rrethana që kanë tronditur opinionin publik.
Ngjarja ka nxjerrë në pah një nga plagët më të thella dhe më të nënvlerësuara të shoqërisë sonë: bullizmin dhe mungesën e kujdesit ndaj mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe adoleshentëve. Psikologët shprehin nevojën për reagim të shpejtë e të koordinuar nga institucionet arsimore, familjet dhe profesionistët e shëndetit mendor, pasi adoleshenca është periudhë shumë delikate dhe kërkohet mbështjetje emocionale.
Sipas psikologes Sefa, shoqëria shqiptare vazhdon të neglizhojë dimensionin psikologjik të mirëqenies së fëmijëve, ndërkohë që reagimi i prindërve është i menjëhershëm ndaj shqetësimeve fizike të fëmijëve.
Ndërkohë Dr. Sc. Sadik Emroja, sociolog, shprehet se bullizmi ndodh edhe përmes rrjeteve sociale, prandaj prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë fëmijët e tyre. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
