Zgjedhjet Lokale 2025, TVM 2, gati për prezentimin e fushatës

28.09.2025 14:34

Të hënën fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale...

Të hënën fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, e bashkë me to edhe obligimet ligjore të Servisit Publik, që përmes edicioneve informative dhe debateve, të bëjë mbulimin mediatik të procesit zgjedhor, sipas rregullativës zgjedhore.

Ashtu siç kemi vepruar që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, edhe në ditët sa do të zgjasë fushata zgjedhore, TVM 2 do të sigurojë mbulim të procesit zgjedhor në mënyrë të balancuar, të drejtë e të paanshëm, në të gjithë programin e tij, duke mundësuar kushte të njejta për qasje të barabartë, për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.

Sipas nenit 76 të Kodit Zgjedhor, “Servisi publik është i detyruar të sigurojë përfaqësim të adekuat dhe të drejtë  të pjesmarrësve në fushatën zgjedhore, më saktë, 30% e kohës në edicionet qëndrore informative do t’iu kushtohet informacioneve nga ngjarjet e  ditës në vend dhe botë, 30% e kohës ndahen për aktivitetet e partive politike në pushtet, 30% e kohës për aktivitetet e partive politike në opozitë dhe 10 % për aktivitetet e partive politike, që nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e RM-së”. Minutazhi përkatës për prezentimin e kandidatëve për kryetar komunash të secilës parti pjesëmarrëse, koalicion apo të pavarur, në ditaret televizive, përcaktohet me ligj. TVM2 do të respektojë në tërësi edhe obligimet që dalin nga neni 76, alinea 12 e Kodit Zgjedhor, sipas së cilit, “Që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre, informacionet reth aktiviteteve të rregullta të organeve shtetërore, të komunave dhe qytetit të Shkupit, institucioneve shtetërore si dhe aktivitetet e personave juridikë dhe të tjerëve që sipas ligjit kryejnë funksione publike, nuk guxojnë të jenë në funksion të prezentimit mediatik zgjedhor të asnjë subjekti politik”.

Duke pasur parasyshë të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve për informim dhe për qëndrimet e të gjitha subjekteve relevante politike, si dhe ndryshimet në qëndrimet dhe politikat e këtyre subjekteve, veçanërisht në periudhën e zgjedhjeve, TVM 2 në kuadër programacionit informativ, do të fokusohet në emetimin e përballjeve mes kandidatëve për kryetar komune,  si dhe analizave politike në kuadër të emisionit debativ “ZOOM”, me ç’rast qytetarët më lehtë do të mund të kuptojnë qëndrimet e kandidatëve  për kryetarë komune, partive politike garuese si dhe kandidatëve të pavarur.

TVM2 në pajtim me ndryshimet në Kodin zgjedhor, gjatë këtij procesi zgjedhor do të respektojë obligimin ligjor për qasje mediatike edhe për personat me aftësi të kufizuara, ku përmes titrave do të përgatisë një edicion informativ zgjedhor në ditë i cili do të transmetohet për çdo ditë  në ora 22:30 minuta,  si dhe  dhe një përmbajtje programore  rreth procesit zgjedhor.

Gjithashtu, kandidatët  për kryetarë të komunave  si dhe bartësit e listave për këshilltarë kanë të drejtë ligjore të shfrytëzojnë edhe minutazhin e caktuar si pjesë e “Prezentimit politik  zgjedhor pa pagesë”, me minutazh të njejtë për të gjithë pjesëmarrësit që duan ta shfrytëzojnë të njejtin.

Nuk do të shfrytëzohen për çfarëdolloj marketingu politik të asnjë partie, emisionet e tjera në TVM2, përfshirë emisionin e mëngjesit, emisionet arsimore, shëndetësore, ato për fëmijë e të rinjë,  as edhe emisionet zbavitëse.

TVM2  është  gjithmonë në shërbim të shikuesve dhe të drejtës së tyre për tu informuar në kohë reale e në mënyrë korrekte.