Rusia kryen sulm masiv në Ukrainë, rrezik nga eskalimi ndërkombëtar

28.09.2025 14:52

Rusia ka ndërmarrë një sulm të koordinuar ajror...

Rusia ka ndërmarrë një sulm të koordinuar ajror me përmasa të mëdha ndaj Ukrainës, duke përdorur qindra dronë dhe raketa, që ka rezultuar me viktima dhe të plagosur. Si pasojë e sulmeve, në të gjithë territorin ukrainas është shpallur alarm ajror.

Më i godituri është Kievi, ku autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në strehimore. Në mënyrë të përsëritur është goditur edhe Zaporizhja.

Për shkak të zhvillimeve të fundit, Polonia ka ngritur në gatishmëri avionët luftarakë për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore dhe ka aktivizuar sistemet tokësore të mbrojtjes kundërajrore.

“Armiku kreu një sulm masiv me raketa ndaj Kievit. Janë raportuar shumë goditje në rrethin Solobjansky, ku janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe institucione mjekësore. Fatkeqësisht, ka të plagosur dhe të vrarë.” – u shpreh një menaxhues i një pompe benzine në Zaporozhje.

“Fillimisht dëgjuam një shpërthim në katin e gjashtë, diku larg. U strehuam në korridor me tre fëmijët e mi dhe pastaj gjithçka filloi të dridhej. Kishte tym dhe zjarr. Vrapuam jashtë menjëherë.” – deklaroi një banore.

Këto sulme pasojnë pas njoftimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje për ndihmë ushtarake prej 90 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe paralajmëroi për aktivitet të rrezikshëm të shërbimeve sekrete hungareze në territorin ukrainas.

Zelensky theksoi se, pavarësisht veprimeve të Moskës, Ukraina do të reagojë:

“Rusia duhet ta kuptojë qartë se vendet e civilizuara nuk janë agresore dhe nuk sulmojnë të parat. Por kjo nuk do të thotë se janë të dobëta. Nëse kërcënohet ndërprerja e energjisë elektrike në kryeqytetin ukrainas, atëherë Kremlini duhet të dijë se e njëjta mund të ndodhë edhe në kryeqytetin e Rusisë.” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i hodhi poshtë akuzat për shkelje të qëllimshme të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Lavrov pohoi se Moska nuk ka si objektiv vendet evropiane, megjithëse pranoi se ndodhin incidente. Pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Lavrov lëshoi një paralajmërim të ashpër:

“Nëse dikush përpiqet të rrëzojë ndonjë objekt fluturues, apo çfarëdo objekti tjetër mbi territorin tonë, në hapësirën tonë ajrore, atëherë këta njerëz do të pendohen rëndë për shkeljen flagrante të integritetit dhe sovranitetit tonë territorial.” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Ky qëndrim vjen në një moment të rritjes së tensioneve ndërkombëtare, pasi Polonia, Rumania dhe Estonia kanë raportuar shkelje të hapësirës ajrore nga Rusia, ndërsa dronë të dyshimtë janë vërejtur edhe në Danimarkë dhe Suedi.

Shefat e Shtabeve të Përgjithshme të vendeve anëtare të NATO-s kanë paralajmëruar për rrezikun e eskalimit të mëtejshëm nga Moska.

Si reagim, NATO ka njoftuar përforcimin e pranisë së saj ushtarake në rajonin e Balltikut, përmes dislokimit të një fregate për mbrojtje ajrore dhe sistemeve shtesë mbrojtëse, në kuadër të misionit të sigurisë kolektive. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)