Maqedoni

Gashi: Partitë të bëjnë fushatë të ndershme

29.09.2025 11:01

Me rastin e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kryeparlamentari, Afrim Gashi...

Me rastin e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kryeparlamentari, Afrim Gashi, u bën thirrje të gjitha subjekteve politike në vend që garojnë në këto zgjedhje, të bëjnë fushatë të ndershme dhe t’u përmbahen parimeve demokratike.
 
“I ndërgjegjshëm për detyrën unifikuese që kam, ndjej obligim të bëj një thirrje të qartë tek të gjitha subjektet politike, kandidatët dhe strukturat organizative, instituiconet dhe mediat, aktivistët dhe qytetarët: të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike dhe qytetare. Të përmbahen nga çdo formë presioni, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, propaganda polarizuese dhe nga keqpërdorimi i resurseve publike. Kuvendi tashmë është shprehur me unitet përmes Deklaratës së përbashkët për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kujtoj që respektimi i kësaj Deklarate është një obligim moral e politik për secilin në këtë fushatë. Qytetarët meritojnë respekt e demokracia kërkon përgjegjësi. Demokracia nuk matet me fitoren e një individi apo partie, por me dinjitetin e garës. Prandaj, pres me besim që ky proces zgjedhor të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike dhe reflektim i aspiratave tona europiane. Duke u dëshiruar suksese të gjithë kandidatëve dhe partive, uroj një fushatë të dinjitetshme, të përqendruar te nevojat e qytetarit. Sepse, kur ndershmëria udhëheq garën, rezultati është fitore për gjithë shoqërinë!”, thuhet në letrën e Gashit.