Botë

Takim Netanjahu - Tramp në Shtëpinë e Bardhë

29.09.2025 11:29

Vetëm pak ditë pas fjalimit sfidues në OKB ku hodhi poshtë thirrjet për armëpushim në Gazë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu...

Vetëm pak ditë pas fjalimit sfidues në OKB ku hodhi poshtë thirrjet për armëpushim në Gazë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të takohet të hënën në Uashington me aleatin e tij më të fortë, presidentin amerikan Donald Tramp.
 
Trampi dhe Netanjahu pritet të takohen në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë dhe të mbajnë një konferencë për shtyp më vonë gjatë ditës. Sipas burimeve arabe të përfshira në negociata, plani i Trampit për t’i dhënë fund luftës në Gazë përfshin: armëpushim të menjëhershëm; lirimin e të gjitha pengjeve brenda 48 orëve; tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Gazë; shfuqizimin e Hamasit dhe çarmatimin e tij; krijimin e një force ndërkombëtare sigurie që do të menaxhojë rendin në Gazë; formimin e një komiteti palestinez teknokratësh që do të menaxhojë punët civile, me kalimin e pushtetit te një autoritet palestinez i reformuar. Plani nuk përfshin dëbimin e palestinezëve nga Gaza, një ide që Trampi kishte lënë të nënkuptohej më herët këtë vit. Nëse Trampi vendos të shtojë presionin ndaj Izraelit, Netanjahu pritet të kërkojë disa kushte të panegociueshme: asgjësimi total i Hamasit; garanci që ushtria izraelite të ketë të drejtë të ndërhyjë nëse Hamasi rifillon aktivitetin; mospërfshirje e autoritetit palestinez në menaxhimin e Gazës.
 
Në një intervistë Netanjahu konfirmoi se po punojnë me ekipin e Trampit: “Shpresojmë që ta bëjmë realitet këtë marrëveshje.”. Megjithëse Trampi është shprehur optimist se një marrëveshje është “shumë afër”, vëzhguesit janë skeptikë. “Sa më shumë flitet për një marrëveshje afër, aq më skeptik bëhem.”, tha ish-këshilltari i Politikës së Jashtme në administratat amerikane, Aron David Miller.