Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, Maqedonia hyn në fushatë parazgjedhore
29.09.2025 14:14
RMV nga mesnata hyri në periudhë parazgjedhore, që do të zgjasë 20 ditë, deri në mesnatën e 17 tetori...

Maqedonia e Veriut nga mesnata hyri në periudhë parazgjedhore, që do të zgjasë 20 ditë, deri në mesnatën e 17 tetorit, pas së cilës do të vijojë heshtja parazgjedhore para 19 tetorit, dita e votimit. Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.
Votimi në rrethin e parë do të mbahet në 3.480 qendra votimi për 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë. Qyteti i Shkupit ka më shumë kandidatë për kryetar komune – 16. Partitë shqiptare do të masin fuqitë e tyre në 16 komuna të vendit.
Për menaxhmentin e ri komunal do të votojnë 1.832.415 votues, nga të cilët 1.717.803 janë brenda vendit dhe 112 mijë të tjerë janë të regjistruar në Listën e Posaçme të Votuesve, pra persona që janë çregjistruar dhe punojnë dhe banojnë përkohësisht jashtë vendit, si dhe 2.162 votues që vuajnë dënime me burgim ose paraburgim. Ndërkaq 450 votues do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në shtëpitë e pleqve.
Nuk do të ketë votim nga diaspora për zgjedhjet lokale, por nëse qytetarët që janë të punësuar përkohësisht ose jetojnë jashtë vendit, vijnë në Maqedoni, ata do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre e votës. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet dy javë më vonë nga rrethi i parë, më 2 nëntor.
MERAL ISMAILI
