Maqedoni
Gjykata Kushtetuese prezanton digjitalizimin me pajisje të reja
29.09.2025 14:49
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht ka filluar procesin e digjitalizimit të plotë...

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht ka filluar procesin e digjitalizimit të plotë, duke hyrë kështu në një fazë të re të përparimit teknologjik, që synon efikasitet më të madh, transparencë dhe hapje ndaj publikut.
Ky sistem digjital i përparuar do të mundësojë akses më të madh në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe do të përmirësojë procesin e vendimmarrjes. Projekti i digjitalizimit në Gjykatën Kushtetuese u promovua sot, në kuadër të takimit dypalësh me delegacionin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, të udhëhequr nga presidenti Kadir Ozkaja.
Në hapjen ceremoniale të sallës së re të seancave, kryetari Darko Kostadinovski dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese prezantuan pajisjet moderne teknologjike të siguruara me një donacion nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim - TIKA.
Zgjidhjet e reja teknologjike, siç theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, do të mundësojnë kushte pune moderne dhe të sigurta, d.m.th. mbajtjen e takimeve hibride me pajisje të integruara për audio dhe video konferenca, përkthim simultan për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht nëse janë të pranishëm fizikisht apo të përfshirë nga distanca, një platformë të sigurt cloud me autentifikim të shumëfishtë dhe një gamë të gjerë mjetesh për bashkëpunim online, komunikim dhe ndarje të përmbajtjes, regjistrim dhe transkriptim automatik të seancave dhe komunikimeve, votim elektronik me një arkiv të plotë dhe analiza, mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të videos në rrjete dhe serverë të ndryshme socialë.
Një nga temat e takimit të sotëm, siç tha Kostadinovski, ishte konsultimi dhe ndërtimi i një qëndrimi të përbashkët për çështjet rajonale, siç është Forumi i ardhshëm i Gjykatave Kushtetuese nga Ballkani, që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Antalia.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Turke, Ozkaja, ndër të tjera, theksoi se dy gjykatat kushtetuese kanë bashkëpunim të vazhdueshëm, i cili do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen dhe kultivimin e të drejtave themelore të njeriut në rajonin e Ballkanit. Delegacioni realizoi një drekë pune edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi.
VLORA LATIFI TOPOJANI
