Botë
Pas dronëve rusë në hapësirat e Evropës, NATO-ja forcon praninë në Detin Baltik
29.09.2025 15:08
Rriten tensionet dhe shqetësimet për sigurinë në Evropë, ndërsa sulmet me dronë dhe përplasjet ushtarake thellohen....

Rriten tensionet dhe shqetësimet për sigurinë në Evropë, ndërsa sulmet me dronë dhe përplasjet ushtarake thellohen. Danimarka ka ndaluar përkohësisht fluturimet civile me dronë pas vëzhgimeve të mjeteve të paidentifikuara pranë objekteve ushtarake. Gjithashtu edhe Spanja, Suedia, Norvegjia dhe Holanda kanë regjistruar incidente të ngjashme. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni konfirmoi se po shqyrton mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi “Tomahavk”.
"Kam qenë gjithmonë i mendimit që evropianët duhet të angazhohen më shumë. Kam dashur që ne, Shtetet e Bashkuara, të ndalojmë së derdhuri para dhe armë në një konflikt kaq të largët, kur ndjeja se evropianët me gjithë respektin nuk po merrnin përsipër barrën që u takon. Tani evropianët po blejnë armë nga ShBA-ja, në vend që t’ua japim falas.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J.D. Vance.
Presidenti ukrainas gjithashtu akuzoi Rusinë se ka refuzuar të gjitha propozimet e mirëfillta për paqe, prandaj sipas tij, ndaj Rusisë duhet ushtruar presion më i madh ndërkombëtar.
"Informacionet e inteligjencës tregojnë se rusët po përdorin cisterna të kamufluara për të lëshuar dhe drejtuar dronë kundër vendeve evropiane. Kjo është një provë tjetër pse Deti Baltik dhe detet e tjera duhet të mbyllen për cisternat ruse të paktën për flotën e tyre të padukshme.", - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Pas dronëve të dyshimtë janë shtuar masat e sigurisë në Evropë. Si reagim ndaj rritjes së kërcënimeve, NATO-ja ka vendosur të forcojë praninë e saj në Detin Baltik, duke dërguar një fregatë për mbrojtje ajrore dhe mjete shtesë për mbikëqyrje dhe vëzhgim. Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus ka mohuar akuzat për shkelje të qëllimshme të hapësirave ajrore të vendeve të NATO-s dhe BE-së, por ka pranuar se incidente të tilla ndodhin herë pas herë.
FARIJE DAUTI BAKIU
