Rajon

Hagë, Gjykata Speciale, anulohet seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së

29.09.2025 15:27

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është anuluar seanca e planifikuar për të hënën në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së...

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është anuluar seanca e planifikuar për të hënën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.  Arsyeja nuk është bërë e ditur, por seanca e radhës pritet të mbahet më 30 shtator 2025. 
 
Mbrojtja ka filluar paraqitjen e provave më 15 shtator, duke dëgjuar dëshmitarë të ndryshëm, ndërsa Zyra e Prokurorit ka përfunduar paraqitjen e provave në prill të këtij viti. Aktakuza ndaj tyre, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është konfirmuar që në tetor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara kanë caktuar 14 nëntorin 2025 si datën për përfundimin e mbrojtjes dhe 22 dhjetorin për paraqitjen e parashtresave përfundimtare.
 
Procesi gjyqësor ka përfshirë dëshmitë e ish-zyrtarëve të njohur ndërkombëtarë dhe ekspertëve të fushës, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rrëzimin e disa akuzave, kërkesë kjo që u refuzua nga trupi gjykues. Gjyqi vazhdon të jetë një nga më të ndjekurit dhe me rëndësi për drejtësinë në Kosovë dhe rajon. Çështja pritet të përfundojë deri në fund të vitit me paraqitjen e parashtresave përfundimtare dhe deklaratave nga viktimat.