Situata në kardiokirurgji, LSDM: Nuk ka operacione, klinika e lënë pas dore
Partitë maqedonase ndërthurin akuza...

Partitë maqedonase ndërthurin akuza për gjendjen aktuale në shëndetësi, por edhe gabimet nga e kaluara. Socialdemokratët shprehen se në kardiokirurgji nuk po realizohen operacione në mungesë të mjekëve.
Për pasojë, nga LSDM-ja thonë se pacientët janë të detyruar që të shkojnë në klinika private. Për këto vështirësi ata akuzojnë ministrin se nuk punon mjaftueshëm për shëndetësinë publike.
“Kjo qeveri tregon dhe dëshmon çdo ditë se funksionon vetëm për spitalet e mëdha private, përderisa sistemi i kujdesit shëndetësor zhytet në kaos dhe nuk bëhet asgjë për qytetarët. Ministri i Shëndetësisë, në vend që të punojë për të mirën e shëndetit publik, spitaleve, klinikave dhe institucioneve shëndetësore, duket se punon vetëm për të mirën e spitaleve private. Për shkak të kësaj, situata shëndetësore e të gjithëve është katastrofike.”, - deklaroi Elena Radeska nga LSDM.
Tragjedia në Spitalin Modular, VMRO: Ish-pushteti ndikoi në gjykim të padrejtë
Nga VMRO-DPMNE kthehen në kohë dhe akuzat i përqendrojnë tek tragjedia në Spitalin Modular të Tetovës, duke thënë se për këtë ngjarje, nën ndikimin e ish-pushtetit, është gjykuar padrejtësisht.
“Gjyqësori nën komandën e LSD-së dhe BDI-së, dha gjithsej 3 vjet burg për 14 persona të djegur të gjallë në Spitalin Modular të Tetovës. Pas një vit e gjysmë për dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Venko Filipçe as nuk u thirr në një intervistë informative. Humbja e jetës së njerëzve dënohet si kundërvajtje, ndërsa shkulja e flokëve mund të rezultojë deri në 4 vjet burg. Një absurditet që ekziston vetëm në gjyqësor nën diktatin e LSD-së dhe BDI-së.”, - theksoi Viktorija Andonovska nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, ish-ministri i Shëndetësisë Filipçe, për gabimet e tij në shëndetësi tanimë duhej të ishte i privuar nga liria e jo të drejtonte parti politike. (Meral Ismaili, TVM2)
