Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025: AKI, konventë promovuese në Shkup

29.09.2025 16:14

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur konventën promovuese...

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur konventën promovuese të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunalë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Me këtë rast u bë e ditur se AKI do të garojë në 34 komuna  me listat e saja për këshilltarë komunalë dhe në 23 komuna me kandidatë për kryetarë komune. Ky koalicion garon edhe për të parin e kryeqytetit, me kandidatin Skender Rexhepi - Zejd. 
 
“Po, mbrojtjes së administratorëve tanë, të cilët nga gjaku i UÇK-së janë vendosur aty dhe askush nuk guxon t’i frikësojë. Po, rrugëtimit tonë drejt BE-së dhe shfrytëzimit të granteve pa kthim dhe ato grante të shfrytëzohen për komunat shqiptare kudo që janë. Po, mirëqenies ekonomike sociale, arsimore, kulturore në komunat ku jemi.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Shkupit, Skender Rexhepi – Zejd.
 
Ndërsa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se më 19 tetor është referendum i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pasi VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski nuk respektuan legjitimitetin e fituar të shqiptarëve dhe vazhduan të rrënojnë Marrëveshjen paqësore të Ohrit, duke vënë në abrogim ligjin e gjuhës shqipe, duke hequr inspektoratet për kontrollin e kësaj gjuhe, duke hequr “balancerin”, një kontrollues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve.
 
Marrëveshja e Ohrit duhet respektuar nga të gjitha palët, tha Ahmeti, duke shtuar se për dy dekada është punuar bashkë me komunitetin ndërkombëtar, ShBA, BE dhe NATO, me forcat politike në vend, edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në në realizim të kësaj marrëveshjeje. 
 
“Kristiani duhet t’i ndalë kasnecët e tij, ata të cilët bëjnë raporte për komunitetin ndërkombëtar se gjoja AKI i ka vënë të gjitha zjarret në Maqedoni, për djegien e pyjeve dhe fabrikave. Ne nuk jemi burravecë, që të hedhim gurin e ta fshehim dorën.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti njëherësh theksoi se kasnecët e Mickoskit kanë thënë në Bruksel dhe Uashington se AKI do të djegë xhamia, apo se po përgatitet të vrasë njërin nga kandidatët, kjo është e tmerrshme, tha kreu i BDI-së. Ai theksoi se shqiptarët duan paqe, stabilitet, ardhmëri, duan Evropën, duan NATO-n.
 
Ky përcaktim i ka bërë bashkë partitë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, tha Ahmeti, duke shtuar se synimi është mbrojtja e të drejtave tona kombëtare, por edhe për ta çuar vendin përpara aty ku presin të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
 
Në konventën promovuese të AKI-së të pranishmëve iu drejtuan edhe dy liderët e partive pjesë e koalicionit, Ziadin Sela dhe Arben Taravari, të cilët po ashtu theksuan se zgjedhjet e 19 tetorit, megjithëse janë zgjedhje lokale, janë referendum për fatin e qeverisë aktuale. 
 
GYLTENE SINANI