Tiranë, Veliaj ankimon shkarkimin në gjykatë

29.09.2025 16:27

Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese...

Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra fillimisht nga Këshilli Bashkiak dhe më pas nga Qeveria. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor.

Ai thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.

Mungesa e kryetarit të Bashkisë, për shkak të një pamundësie objektive të shkaktuar nga paraburgimi nuk përmbush kriterin kushtetues të “shkeljes së rëndë”. Neni 62, interpretuar së bashku me nenin 115 të Kushtetutës, e parashikon mungesën si shkak shkarkimi vetëm kur është i pajustifikuar.”.

Veliaj i kujton Gjykatës Kushtetuese se lënia në fuqi e vendimit të Qeverisë do të përbënte një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të kishim të bënim me një normë ligjore antikushtetuese, pasi ligjvënësi do të kishte shtuar një shkak të ri për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë.”

Ditën që firmosi shkarkimin e kryebashkiakut, Qeveria njoftoi dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën, ndërsa tanimë procesi i zgjedhjeve bllokohet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. (Luljeta Ndoka, TVM2)