Zgjedhjet lokale 2025, Kasami dhe Mexhiti shpalosën platformat

29.09.2025 17:44

Kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni VLEN...

Kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, kërkon mandatin e dytë për kryetar komune. Ai tha se në mandatin e parë ishte i fokusuar në përballjen me kaosin në të cilin ishte zhytur qyteti para ardhjes së tij në krye të Tetovës.

Ai tha se pas një mandat qeverisjeje, tani Tetova është kthyer nga kaosi në normalitet institucional, nga borxhi drejt zhvillimit dhe nga shëmtia në rend dhe pastërti.

Kasami tha se mandatin e dytë e kërkon ballëhapur para qytetarëve, pasi në katër vitet e kaluara ka dhënë gjithçka nga vetja që Tetovën ta bëjë një qytet më të mirë, për çka, siç tha ai, dëshmojnë qindra projekte të përfunduara me sukses.

Nuk ka lagje në Tetovë apo rrethinë ku nuk ka zgjidhur një problem të qytetarëve dhe njëkohësisht është shlyer borxhi prej 9 milionë eurosh.

“Mandati i parë ishte mandati i ndërhyrjeve emergjente, i zgjidhjeve të problemeve elementare dhe rregullimit të infrastrukturës bazë. Ne jemi gati që Tetovën ta çojmë në një nivel tjetër me kapitullin e dytë të zhvillimit, sepse Tetova nuk guxon të kthehet në epokën e anarkisë, kaosit, keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Tetova duhet të vazhdojë të zhvillohet edhe më hovshëm, prandaj kam kënaqësinë t’ua prezantoj planin e detajuar.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.

Plani i Kasamit parasheh aplikim online nga ana e qytetarëve, zhvillimin e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë profesionalizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve. Prioritet do të jetë furnizimi me ujë 24 orë, kanalizim modern, ndriçim publik nëpër vendbanime, mirëmbajtje të rrugëve, menaxhim efikas i mbeturinave, transport publik funksional dhe strategji parkimi.

Edhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, tha se po rikthehet në komunën e Çairit, në vendin ku i takon. Çairi është kthyer lart në agjendën e Qeverisë, theksoi me këtë rast Mexhiti.

“Është koha për punë, për realizimin e projekteve, për investimin e fondeve dhe mjeteve të siguruara. Është koha për zgjidhjen e kaosit në trafik dhe problemeve me parkimin. Është koha për zgjidhjen e problemit me pastërtinë, është koha për çerdhe të reja dhe futjen e mësimit me një ndërrim dhe tërëditor në shkollat tona në Çair. Është koha për festivale kulturore, për një Çarshi të gjallë, për një kala të Shkupit të hapur dhe kulturore. Është koha për një Çair si qendër studentore, arsimore dhe kulturore për shqiptarët.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti.

Mexhiti tha se si kryetar i Çairit do të angazhohet që të ndërtojë parking nëntokësor te “Sheshi Skënderbeu”, garazh me kate te kompleksi “Çairçanja” dhe garazhe të montueshme në Fushë Tophanë dhe te Salla “Partizani”. Do t’i zgjerohet arteria kyçe rrugës “Cvetan Dimov”, për të lehtësuar qarkullimin.

Çairi nuk do të jetë më sinonim i papastërtisë. Do të implementojmë sistem modern të menaxhimit të mbeturinave, do të pastrojmë deponitë e egra dhe do të krijojmë hapësira të gjelbra. Do të themelojmë inkubator biznesi për start up kompanitë dhe një fond lokal inovativ për të rinjtë sipërmarrës, deklaroi Mexhiti.

Ai tha se Çairi meriton punë, vizion dhe vepra konkrete. (Fitore Demolli, TVM2)