Këshilli i Evropës, Xhaçka, Zv.Presidente e Asamblesë Parlamentare
Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Olta Xhaçka...

Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Olta Xhaçka, është zgjedhur në mënyrë unanime zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në Evropë.
Në një postim në rrjete sociale pas zgjedhjes, Xhaçka u shpreh e nderuar për besimin e dhënë dhe theksoi se kjo nuk është thjesht një detyrë e re, por një mesazh i qartë besimi ndaj Shqipërisë si një vend me zë, peshë dhe vizion.
“Kjo detyrë sjell përgjegjësi të qarta: të forcoj zërin e vendit tim në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Do të angazhohem me përkushtim për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit, për të qëndruar pranë Ukrainës në përpjekjet për drejtësi dhe paqe, si dhe për të nxitur reformat që e bëjnë Shqipërinë një partnere gjithnjë e më të besueshme”, - shkruan Xhaçka në një postim në Facebook.
