Botë
Udhëheqësit në Lindjen e Mesme dhe Evropë mirëpresin planin e paqes të Trampit për Gazën
30.09.2025 09:54
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, publikoi dje planin e tij për paqen në Gaza, duke argumentuar se është “shumë afër” për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare që tashmë ka marrë dhjetëra mijëra jetë....

Udhëheqësit evropianë dhe të Lindjes së Mesme kanë mirëpritur një plan paqeje të ShBA-së për Gazën, ndërsa presidenti Donald Tramp e paralajmëroi Hamasin ta pranonte atë.
Plani i dakorduar nga Trampi dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, propozon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe mbetjet e më shumë se dy duzinave pengjesh që besohet se janë të vdekur – në këmbim të qindra banorëve të ndaluar të Gazës.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit thanë se mirëpritën “udhëheqjen dhe përpjekjet e tij të sinqerta për t’i dhënë fund luftës në Gazë” të Trampit. Ata thanë se ishin të gatshëm të angazhoheshin me ShBA-në për të finalizuar dhe zbatuar marrëveshjen, e cila, sipas tyre, duhet të çojë në një “zgjidhje me dy shtete, sipas së cilës Gaza është plotësisht e integruar me Bregun Perëndimor në një shtet palestinez”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, tha se ishte “i inkurajuar nga përgjigjja pozitive e kryeministrit Netanjahu” ndaj propozimit. Ai shtoi se “të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i dhënë paqes një shans të vërtetë”. Plani përcakton gjithashtu se sapo të dyja palët të bien dakord për propozimin, “ndihma e plotë do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës”.
